Drejtorit menaxhues të Telegrafit, Arlind Gjikolli i është dhënë lamtumira e fundit nga miqtë, kolegët dhe qytetarët e shumtë.
Artistit, Arlind Gjikolli, i është dhënë lamtumira e fundit në varrezat e qytetit të Pejës.
Në ceremoninë e varrimit për themeluesin e grupit WNC nga Peja, ishin të pranishëm miq, kolegë, qytetarë të shumtë të Pejës, personalitete të jetës politike dhe kulturore.
Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim.
“Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja.
Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës. Mjafton të përmendet këtu kënga “Juda”, që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës.