Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takime me bashkatdhetarë në Gjermani, së bashku me deputeten Time Kadrijaj dhe Bekë Berisha.
Haradinaj qëndroi në Sant Augustin, distrikti Rhein-Sieg-Kreis, thuhet në njoftimin në Facebook.
Ai tutje tha se shprehet i lumtur t’i takojë bashkëkombasit dhe t’i sheh nga afër dhe duke përparuar siç thotë ai, në punët e tyre.
“Edhe sot kam vazhduar me takime të njëpasnjëshme me bashkëkombësit që jetojnë në Gjermani. E kuptoj shumë mirë ndjenjën e tyre, e përjetoj emocionin që kanë me mijëra kilometra larg vendlindjes, pasi që dikur isha edhe unë pjesë e tyre. Dita e sotme kulmoi me tubimin në Sant Augustin, distrikti Rhein-Sieg-Kreis. I lumtur të shoh ata duke përparuar, duke ndihmuar familjet në Atdhe. I falënderoj të gjithë emër për emër, nisur nga Driton Malaj, kryetar i Aleancës për këtë rajon, dhe secilin që ndau nga koha e tyre që të bashkëbisedojmë mes vete për fatet e Atdheut, që është pika jonë që na bashkon përtej partive e ideologjive”.
“Po kthehem në Kosovë, me shpresë që shumë nga këta mërgimtarë t’i takoj për festat e fundvitit dhe me shpresë se nga Kosova tash e tutje do të dëgjojnë vetëm lajme të mira”, ka shkruar Haradinaj.