Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se gjashtë milionë familje ukrainase janë ende pa energji elektrike, pas sulmeve masive me raketa të kësaj jave.
“Që nga kjo mbrëmje, ndërprerjet e energjisë vazhdojnë në shumicën e rajoneve dhe në Kiev”, Zelensky në fjalimin e tij të natës.
Numri i familjeve të prekura është ulur përgjysmë që nga e mërkura, shtoi ai, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.
Zelensky tha se kryeqyteti dhe rajoni përreth tij janë ndër më të prekurit nga sulmet teksa shtoi se shumë banorë në qytet kanë qenë pa energji për 20 apo edhe 30 orë.
Ai tha se zona të tjera ndër më të prekurat janë rajonet e Odesës, në jug, Lviv në perëndim, si dhe Vinnytsia dhe Dnipropetrovsk që janë më qendrore.
Tutje Zelensky u bëri thirrje të gjithëve që të përdorin pajisjet që përdorin energjinë me kursim.
“Nëse nuk keni ndërprerje të energjisë, kjo nuk do të thotë se problemi ka mbaruar. Ju lutem, nëse keni energji elektrike, kjo nuk do të thotë se mund të ndizni disa pajisje elektrike të fuqishme në të njëjtën kohë.”
“Duhet të durojmë këtë dimër, një dimër që do ta kujtojnë të gjithë”, tha ai.