Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se Iljasa Fazliu është pezulluar nga pozita e u.d. të Shefit të Defektologjisë nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së.
Vendimi është marrë pasi Fazliu u arrestua ditë më parë kur në publik u shfaq një video ku i njëjti dëgjohej teksa ofendon një paciente 5-vjeçare me autizëm.
“Ju njoftojmë se pas informatës me shkrim nga drejtori i Klinikës së Otoringologjisë, në lidhje me situatën e u.d. Shefit të Defektologjisë, i njëjti është pezulluar nga puna nga Komisioni Disiplinor i QKUK-së, në bazë të Ligjit NR. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative, nenit 85 paragarfi 1”, ka thënë SHSKUK-ja për Klan Kosovën.
Më tej, ky institucion ka theksuar se Fazliu, që ushtronte edhe profesionin e logopedit në një klinikë private në Gjilan, ku edhe dyshohet të ketë ndodhë rasti me 5-vjeçaren, në kohën kur ka pranuar detyrën e u.d. shefit ka prezantuar licencën valide të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila figuron në dosjen e personelit.
Ndërkohë, Klan Kosova ka mësuar se Fazliu ka poseduar licencë nga Ministria e Shëndetësisë prej datës 18.09.2017 deri më 18.09.2022, ndërsa u.d. i Shefit të Defektologjisë është emëruar 10 para skadimit të licencës.
Klani në ndërkohë ka kërkuar përgjigje edhe nga MSH-ja në lidhje me ordinancën private të Fazliut, gjegjësisht a e ka pasur të licencuar të njëjtën.
Nga ky institucion kanë konfirmuar se “AAR Logo +”, me seli në Gjilan, nuk ka pasur licencë për veprimtarinë e ushtruar.
“Në bazë të të dhënave nga Divizioni për licencim dhe akreditim të Institucioneve private shëndetësore, ordinanca private ‘AAR Logo +’ nuk rezulton të jetë e licencuar”, ka thënë MSH-ja për Klanin.
Ndërkaq, televizionit i është thënë po ashtu se MSH-ja nuk lëshon më licenca për profesionistët shëndetësorë, dhe se këtë tashmë e bëjnë odat respektive.
“Na lejoni që të ju informojmë së Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar licenca me afat kohor për 5 vjet deri në vitin 2018. Nga ky vit kompetencat për licencim dhe rilicencim të profesionistëve shëndetësorë u janë bartur odave respektive. Sipas Divizionit për licencim të profesionistëve shëndetësorë, Z. Iljasa Fazliu ka qenë i licencuar vite më parë për profesionin e tij”, thanë nga MSH-ja.
Profesionistët shëndetësorë, sipas MSH-së, rilicencohen në çdo 5 vjet dhe se, duke qenë që, që nga viti 2018 kompetencat për licencim dhe rilicencim u janë bartur odave të profesionistëve shëndetësorë, “të gjithë profesionistët rilicencimin që nga ajo periudhe e bëjnë në odat përkatëse”.
Ndërkaq, në databazën e MSH-së, institucioni “AAR Logo Plus” nuk figuron të jetë inspektuar asnjëherë në dy vitet e fundit.
“Pas verifikimit në data bazën e institucioneve të inspektuara për vitin 2021 dhe atë të periudhës janar-nëntor 2022, nuk figuron të jetë inspektuar subjekti ‘AAR Logo Plus’ me themelues Z. Iljasa Fazliu”, ka theksuar MSH-ja.
Kujtojmë se seanca për logopedin Iljasa Fazliu nga Gjilani, i cili dyshohet se keqtrajtoi pesëvjeçaren me autizëm, është mbajtur dje në spitalin e Gjilanit, pasi mjeku po trajtohet atje.
Ky i fundit ishte rrahur pas këtij rasti nga babai dhe daja i vogëlushes, e cila ishte paciente në klinikën ku ai punonte.
Dy sulmuesit u arrestuan dhe incizimin që ata e paraqitën para organeve të drejtësisë, në pranga çoi edhe Fazliun, që para dy muajsh u bë shef i shërbimeve logopedike në QKUK. /Klankosova.tv