Gjatë ditës së sotme, LDK në Vushtrri kishte reaguar përmes një postimi në lidhje me parkimin e disa veturave në Sheshin “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, duke e ftuar qeverisjen lokale të marrë masa rreth këtij veprimi.
Menjëherë pas reagimit të LDK-së në Vushtrri, ka reaguar edhe qeverisja lokale duke thënë se në lidhje me “shqetësimet” e ngritura për shfrytëzimin e hapësirës së sheshit “Ahmet Krasniqi”, njoftojmë qytetarët e Komunës së Vushtrrisë se Komuna e Vushtrrisë është duke punuar në rregullimin e ngrohjes së objektit të komunës si dhe në rinovimin e bodrumit të këtij objekti, dhe se “shqetësimet” e ish-qeverisjes së kaluar, e cila asnjëherë nuk ndërmori masat e nevojshme për funksionalizimin e ngrohjes së objektit të komunës janë pa asnjë bazë, sepse për vite me radhë zyrat e këtij objekti u ngrohën me ngrohëse klasike, shpenzimet e të cilave janë enorme dhe përveç kësaj edhe rreziku ishte shumë i lartë.
“Prandaj, shfrytëzimi i hapësirave publike dhe shesheve për nevojat e kompanisë që është duke punuar në rregullimin e ngrohjes së objektit të komunës së Vushtrrisë dhe në rinovimin e bodrumit nuk përbën ndonjë shkelje, kështu që nuk ka vend për shqetësim” shkruan Komuna e Vushtrrisë.
Përveç të tjerash Komuna e Vushtrrisë tha se pjesa e bodrumit ku ishte i instaluar sistemi i ngrohjes së objektit për vite me radhë u shfrytëzua jashtëzakonisht dobët, duke e shndërruar atë në një deponi dokumentesh të pa klasifikuara dhe pa përkujdesje. Kundërmimi nga bodrumi i objektit ishte vështirë të çrrënjosej, sepse aty u kërkua një rinovim i përgjithshëm dhe tani punët janë në fazën finale dhe shumë shpejt objekti do të ketë ngrohjen siç duhet ta ketë por edhe bodrumin e shfrytëzueshëm për nevoja zyrtare, sipas planifikimit.
“Ndërkaq, sheshi “Ahmet Krasniqi” është dhe do të jetë shesh i mirëmbajtur dhe pastruar dhe për të cilin përkujdesja nuk do të mungojë asnjëherë nga ana jonë” shkruan ndër të tjerash Komuna e Vushtrrisë.