Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka deklaruar se para se të vinte Qeveria Kurti në pushtet është thënë nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.
Ai ka thënë se edhe ekzekutivit të tanishëm i ka mbetur akoma punë për të bërë për vizat, njofton Klankosova.tv.
“Të gjitha institucionet, prej kohës kur ne e kemi bërë një udhërrëfyes të njëanshëm, e deri sot kanë merita për këtë proces, merita edhe për përmbushjen e kritereve, dihet se kur është thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, ajo është thënë para se të vij kjo qeveri në pushtet. Ka qenë vendim, ka qenë votim dhe vlerësim i Komisionit Evropian”, ka pohuar Pajaziti.
“Përmbushja e kritereve ka ndodhur para se të vij kjo qeveri, por a mund të themi se nuk ka apo nuk do të ketë merita, gjithsesi nuk mund të themi, nëse fare nuk kanë qenë të përfshirë. Atëherë veç fakti prej ditës së sotme deri në momentin kur kjo do të jetësohet ka edhe diçka që na është thënë, sot na është bërë e ditur, pra mbetet ende të punohet në sundimin e ligjit, është edhe një sistem që duhet të vihet në jetë, që është ETIAS, kjo qeveri duhet ta kryejë atë, në mos për asgjë, kjo nëse kryhet me kohë, atëherë duhet t’i atribuohet si meritë”, ka thënë Pajaziti në Info Magazine të Klan Kosovës.