Materiali ndërtimor më përbërje të asbestit i cili është larguar nga çatitë e ndërtesave në Mitrovicës, përkatësisht në rrugën e “Kovaçëve” së shpejti pritet që të deponohet në një lokacion që do ta përcakton Komuna e Mitrovicës.
Por asgjësimi i këtij materiali kancerogjen nuk do të bëhet pasi që, Kosova nuk ka hapësirë për asgjësimin e tij.
Këtë e kanë bërë të ditur për FrontOnline, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Deri me tani në nivel vendi nuk ka hapësira/objekte të veçanta për asgjësim të asbestit”, thonë nga Ministria.
Ndërsa te pyetur se a paraqet rrezik mbështjellja e këtij material kancerogjen, nga Ministria thonë se materialet me asbest paraqesin rrezik vetëm ne rastet kur thyhen, thërrmohen dhe demolohen.
“Përndryshe, mbeturinat ndërtimore që përmbajnë asbest në rastin konkret mbulesat e salonitit të çative, nuk paraqesin rrezik nëse mbesin si të ambalazhuara dhe të izoluara. Ato paraqesin rrezik vetëm ne rastet kur thyhen, thërrmohen dhe demolohen”, thonë nga ministria.
Inspektorati i MMPHI-së nuk ka kompetencë caktimin e lokacionit për asgjësimin e Asbestit, por e mbikëqyrë largimin e këtyre mbeturinave nga vendi ekzistues deri në lokacionin e caktuar nga organet kompetente.
Asbesti është një mineral që ndodh natyrshëm dhe mund të nxirret nga toka në pothuajse çdo pjesë të botës. I përbërë nga fibra të holla dhe të dendura, azbesti është një material i dëshirueshëm në industrinë e ndërtimit për aftësinë e tij për t’i rezistuar nxehtësisë, zjarrit dhe energjisë elektrike.
Pse është kaq i rrezikshëm asbesti? Nëse këto fibra të vogla shqetësohen, ato trazohen në ajër dhe mund të thithen. Edhe ekspozimi minimal ndaj asbestit mund të shkaktojë probleme serioze si fishkëllima të vazhdueshme, kollitje ose gulçim, probleme të fytit dhe mushkërive dhe gjithashtu kancer të mushkërive./Front Online