Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka reaguar ndaj siç ka thënë ai panikën që po krijon Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Vushtrri.
“Në lidhje me situatën e krijuar nga të reshurat e dendura që kanë përfshirë gjithë vendin tonë, edhe në territorin e komunës sonë kemi rritje të nivelit të ujit nëpër lumenj dhe përroska, por që përkundër gjendjes së krijuar ende situata është nën kontroll. Megjithëkëtë, subjektet politike opozitare, më saktësisht Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Vushtrri edhe në këtë rrethanë synon të gjejë ndonjë arsye për kritikë ndaj qeverisjes, madje edhe për të krijuara panik te qytetarët.
Për hir të së vërtetës, duhet t’i njoftoj qytetarët se Lëvizja Vetëvendosje gjatë mandatit të kaluar qeverisës ka udhëhequr me dy drejtoritë, puna e të cilave ndërlidhet me projektet që do të duhej të ndikonin në parandalimin e rreziqeve nga përmbytjet, por që nuk ndërmorën veprimet e duhura për tri vjet me radhë. Duke e parë që gjendja ishte jo e mirë në këtë drejtim, që nga fillimi i mandatit kam angazhuar ekipet e drejtorive gjegjëse (Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Drejtorisë për Shërbime Publike), që të angazhojnë ekipet e punës dhe me muaj të tërë kemi punuar në çdo pjesë të komunës sonë, ku është vlerësuar më prioritare. Qytetarët kanë parë punën tonë, e cila në raste të caktuara nga militantë partiakë edhe është kritikuar duke vlerësuar si të parëndësishme punën që bëhej, por për mua është kënaqësi që sot shumë qytetarë më përgëzojnë që me kohë kemi ndërmarr veprimet dhe kemi shpëtuar pasurinë dhe pronën e tyre. Meqë të reshurat atmosferike ende nuk janë ndalur tërësisht, edhe rreziku nga përmbytjet nuk mund të themi se ka kaluar, por që subjektet politike, e në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje e ftoj që të kontribuojë me aq sa mundet në shmangien e rrezikut duke dalë në terren, e jo të publikojë fotografi nga zyrat, për krijuar panik te qytetarët”, ka shkruar në një reagim, Ferit Idrizi, kryetar i Komunës së Vushtrrisë.
Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Vushtrri gjatë ditës së sotme ka bërë një reagim publik lidhur me vërshimet e sotme në disa pjesë të Komunës së Vushtrrisë.
“Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri, është duke përcjellur me shqetësim situatën me vërshime në territorin e Komunës së Vushtrrisë dhe lutet që kjo situatë të kalohet me sa ma pak dëme, për familjet, ekonomitë familjare dhe bujqësinë. E konsiderojmë të pa pjekur dhe naivitet politik reagimin e kryetarit Ferit Idrizi se “SITUATA ËSHTË NËN KONTROLL” derisa situata reale e pasqyruar nga qytetarët dhe mediat lokale është e rënduar dhe me rrezik shumë potencial të përkeqësimit, prandaj konsiderojmë se nuk është koha për konstatime por për angazhim shtesë. Në situata si kjo kryetari do duhej të mobilizonte me angazhim maksimal të gjitha kapacitetet duke thirrur të gjithë mekanizmat për mbështetje e unitet dhe jo për konstatime të pa pjekura dhe aspak profesionale. Vitet e fundit secilen herë e më tepër po vertetohet fakti që jemi prej komunave më të rrezikuara nga vërshimet, prandaj ka qenë e nevojshme të ketë investime shtesë për të parandaluar më të keqen, që po i kanoset vit pas viti komunës tonë e jo që nga paaftësia të realizohet vetëm 14% e buxhetit për investime kapitale për 9 mujorin e parë siç ka dështuar Qeverisja Idrizi”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Vushtrri.