Këtë të shtunë në emisionin “Familja ime” është diskutuar për sëmundjen e diabetit.
Drejtoresha e Endokrinologjisë në QKUK, Merita Emini – Sadiku, ka thënë që diabeti është një sëmundje kronike – tejet komplekse.
“Jemi në javën e ndërgjegjësimit të popullatës dhe të komunitetit mjekësor lidhur me diabetin, që siç dihet është një sëmundje kronike shumë komplekse që karakterizohet me rritje të sheqerit në gjak. Kjo ndodh si rezultat i insulinës rezistente e cila nuk mund të japë efektin e saj në qeliza që të ulë sheqerin ose në një fazë më të vonshme edhe mungesën e këtij hormoni”, ka thënë Emini në Klan Kosova.
Emini ka thënë gjithashtu se kjo sëmundje është mjaft e përhapur në të gjithë botën.
“Sëmundja e sheqerit është një sëmundje mjaft e përhapur në të gjithë botën dhe po vjen duke u rritur numri i të sëmurëve me të. Është edhe një numër i njerëzve që nuk e dinë fare që e kanë sëmundjen e sheqerit, sepse sëmundja zhvillohet në mënyrë të heshtur”, ka thënë ajo.