Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin pasditen e sotme, ku një 35-vjeçare dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj para hyrjes së Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
35-vjeçarja me inicialet H.M., nga një fshat i Lipjanit, e cila ishte e shtrirë në Klinikën Gjinekologjike dhe Obstetrike të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, ku për pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka humbur edhe foshnjen. I dyshuari është Sokol.H.
“Zeri.info”, merr vesh se 35-vjeçarjes prej vitesh i kishin vdekur prindërit, përderisa kanë qenë vetëm gjashtë motra.
Familjar të saj, kanë treguar për “Zeri.info”, se i dyshuari Sokol.H, në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj saj dhe kjo ka qenë arsyeja përse janë ndarë.
“Këto nuk kanë as babë, as nanë e as vëlla. Janë nja 6-7 motra. Kjo u pat martu me to, po ai psikopat non-stop ka ushtru dhunë ndaj saj. E ka rreh e ka maltretu. Sa herë që ka shku te motra e saj, motra e ka pa krejt të mavijosur prej rrahjeve që ia ka bo ai psikopati”, ka treguar ky familjar për “Zeri.info”.
Tutje ai shton se për shkak të frikës, 35-vjeçarja herë ka qëndruar në shtëpinë e prindërve të saj të ndjerë e herë tek motrat e saj.
“Kjo është martu frik. Edhe tani masi jonë nda, mas dhunës që ka ushtru ai ndaj saj, ajo ka ndejt herë në shtëpinë e prindërve të saj e herë nëpër motra. Ky psikopat, u shku e ka rujt te Klinika deri sa ka dal kjo jashtë”, ka rrëfyer tutje ky familjar.
Vrasjen e 35-vjeçar për “Zeri.info”, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka treguar Ahmeti për “Zeri.info”.
“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka treguar ajo.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe krerë të partive politike, por edhe nga shoqëria civile, të cilët kanë kërkuar hetim meritor për këtë vrasje. /Zëri