Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se provokimi i Serbisë me banerin ku shihej harta e Kosovës me ngjyra të flamurit serb, është shkelje flagrante e të gjitha rregullave të futbollit.
Në një lidhje direkte në Botërorin Special në Klan Kosova, ai ka thënë ky gjest nuk do të kalojë në heshtje dhe se duhet të pasojë dënimi.
“Nuk e di nëse ka hapësirë për interpretim sepse gjithçka është e qartë, është një shkelje flagrante e të gjitha rregullave të futbollit, është keqpërdorim i sportit për qëllime politike, thirrje për gjenocid dhe për luftë”.
“Kjo sjellje askund nuk duhet ta ketë vendin, por Serbia vazhdon të jetë e njëjta dhe vazhdon ta keqpërdorë sportin”.
“Besojmë se kjo çështje nuk mund të kalojë në heshtje dhe unë besoj shumë se nuk do të kalojë në heshtje”.
“Në këto raste, ne e kemi një praktikë të zakonshme, reagimet e para zyrtare, shkresat shkojnë përmes FFK-së dhe KOK-ut ndërsa institucionet e shtetit janë aty për t’u ofruar ndihmë atyre”.
“Duhet ta ndjekim këtë deri në fund. Në këtë rast është cenuar edhe integriteti i vetë FIFA-s. Këta njerëz të Federatës së Futbollit të Serbisë e kanë keqpërdorur edhe vetë FIFA-n”.
“Shumë mirë që FFK-ja e ka nisur ankesën e parë, tani ne e presim reagimin e FIFA-s”.
“Kjo është një shkelje shumë e qartë dhe prandaj duhet të pasojë edhe dënimi për Serbinë”.