Në dyert dhe dritaret e bizneseve në Kosovë janë bërë të shpeshta shpalljet, nëpërmjet së cilave kërkohen punëtorë.
Dhjetëra biznese në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kanë të vendosura shpallje të tilla.
Shitës, punëtor arke, rrobaqepës, kuzhinier e kamerier janë profesionet që kërkohen më së shumti muajt e fundit.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë ditëve të fundit ka fotografuar dhjetëra shpallje të tilla në rrugët e kryeqytetit.Zyrtarisht në nivel vendi, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, papunësia kalon shifrat prej 17 për qind.
Por, pavarësisht këtij niveli të lartë të papunësisë, bizneset po e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë të rinj. Në konkurset e tyre pakkush paraqitet.Bujar Hajdini është një biznesmen nga Prishtina që operon në sektorin e tekstilit.
Ai ka të punësuar rreth 30 punëtorë që kryesisht janë rrobaqepës. Aktualisht, ka të hapur 20 vende të reja të punës.
Përveç në rrjete sociale ai ka vendosur edhe shpallje fizike me shpresën se dikush do të paraqitet.
“Çfarë, nuk lajmërohet askush. Para 4-5 vitesh apo më shumë nuk ndalej telefoni kurrë”, tregon Hajdini eksperiencën që ka me shpalljen e fundit.Hajdini thotë se mungesa e punëtorëve, sidomos atyre të kualifikuar, ia ka pamundësuar zgjerimin e biznesit.
“Të kualifikuarit shumica po dalin [jashtë vendit] edhe pse pagat nuk janë aq të ulëta, por kot, standardi i jetesës është rritur shumë. Unë doja të rritesha sepse kam kërkesa të prodhimit”, thotë Hajdini.
“Punëtorët si diamanti, vështirë gjenden”
Një sektor tjetër që vazhdimisht është në kërkim të punëtorëve është gastronomia. Këtu mungojnë kamerierët, banakierët, kuzhinierët dhe në veçanti mirëmbajtësit.
Florim Sermaxhaj që menaxhon një biznes të gastronomisë në kryeqytet thotë se thuajse çdo muaj është i obliguar të shpallë konkurse për punëtorë.
“Nevojë për punëtorë kemi sa të duash, por është bërë shumë problem të gjajmë. Si ta gjesh një diamant, si ta gjesh një punëtor – e njëjtë është bërë”, tregon ai.Sermaxhaj thotë se mosha e punëtorëve që punojnë në këtë sektorë është mes 18 dhe 27 vjeç. Për shumicën prej tyre që tashmë nuk punojnë për biznesin e tij, Sermaxhaj thotë se e kanë lënë punën pas një apo dy muajsh.
Në shumtën e rasteve, shpjegon ai, ata kanë qenë duke pritur një termin për vizë pune jashtë vendit. Sermaxhaj thotë se kuzhinierët dhe mirëmbajtësit më së vështiri për t’i gjetur tani pasi siç shpjegon ai, ka fare pak të tillë që janë të interesuar për të punuar.
“Shumë, shumë problem është të gjesh kuzhinier. Pastrues nuk gjen hiç se hiç. Ka një vit që kërkoj dikë, qoftë dy orë, të vijë për të pastruar, por nuk vjen askush”, tregon Sermaxhaj.
“Më mirë hiç se i shkelur”
Mungesa e kontratave të punës, orari i stërzgjatur i punës, mohimi i pushimit vjetor si dhe shkelje të tjera të Ligjit të punës nga bizneset janë, sipas disa qytetarëve, ndër arsyet kryesore që kanë ndikuar në rënien e interesimit të qytetarëve për të punuar në sektorin privat.
Në veçanti rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe pagat e ulëta.I.K, një i ri nga qyteti i Kamenicës thotë se ka punuar rreth pesë vjet në sektorin e gastronomisë në Prishtinë.
Në shumicën e vendeve të punës tregon se nuk ka pasur kontratë pune, nuk i është dhënë pushim vjetor, ka punuar me orar të stërzgjatur dhe nuk i janë paguar kontributet.
Paga më e lartë që ka marrë ka qenë 300 euro, thotë ai.
Për shkak të pamundësisë që të fitojë të ardhura të mjaftueshme, ai ka vendosur para pak javësh që ta lërë punën dhe ia ka vendosur vetes si qëllim largimin nga Kosova.
“Jam në pritje të terminit për vizë pune në Ambasadën gjermane. Po mbaj shpresë që e marr por që nuk mbërri të zë termin, atëherë më duhet t’i nostrifikoj diplomat dhe të ec nga këtu. Po, dua të shkoj në Gjermani”, rrëfen ai.Ai thotë se nuk e ka menduar largimin nga Kosova para tre vjetësh kur kishte diplomuar për Drejtësi, por pamundësia për të gjetur një punë të qëndrueshme, ia ka ndryshuar mendjen.
Andi Sheqerollin, një i ri nga qyteti i Pejës ka punuar për disa vite në sektorin e gastronomisë përfshirë kamerier dhe kuzhinier. Ai thotë se sektori privat nuk ofron mirëqenie për shumë punëtorë në Kosovë, sidomos pas shtrenjtimit të standardit të jetesës.
“Sikur çdo i ri, normalisht se kemi pasur ide për t’u larguar nga shteti i Kosovës. Ka pasur shtrenjtim të ushqimit, të energjisë elektrike. Pra, secili njeri mendon për një jetë më të mirë. Shumica mendojnë të largohen për një jetë më të mirë, për të arritur diçka më shumë. Mendoj se atje paguhen më shumë se në Kosovë”, thotë ai.Nga viti 2011 paga minimale në Kosovë është 130 euro për personat nën moshën 35 vjeç si dhe 170 për ata mbi 35 vjeç.
Në muajin prill të këtij viti Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin që i hap rrugës rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 neto. Kryeministri Albin Kurti deklaroi më parë se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 100 mijë punëtorë. Ky projektligj ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Mbi 60 mijë punëkërkues
Sipas Agjencisë së Kosovës për Punësim, në të gjithë territorin e Kosovës janë mbi 60 mijë punëkërkues aktivë.
Kjo agjenci ka një platformë në internet, në të cilën qytetarët mund të gjejnë një vend pune.
Jo të gjithë të papunët që janë të paraqitur fizikisht në zyrat e punësimit janë pjesë e kësaj platforme. Në fakt, janë shumë më pak, rreth 2.300.
Kamerierë, shitëse, punëtorë administrativë, edukatore, kujdestarë, punëtorë për sektorin e ndërtimtarisë dhe punëtorë në sektorin e përpunimit të metalit, aktualisht janë profesionet më të kërkuara.
Më së shumti vende të lira pune ka në qytetin e Dragashit, gjithsej 35.