Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një fjalim prej më se 2 orësh përpara popullit të tij, ka thënë se dialogu me Kosovën nuk ekziston.
Ai këto pretendime i ka bërë teksa ka folur për vizitën e tij në Berlin, ku u takua bashkë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, raporton VOA, përcjell lajmi.net.
“Ne u përpoqëm për dialog në Berlin, por zotërinjtë nuk donin dialog dhe ata refuzuan deklaratë të përbashkët”, u deklarua me ironi Vuçiqi.
Vuçiqi shton se Kosova e ka njoftuar opinionin se dëshiron të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, në të cilën ka marrë mbështetjen e Gjermanisë, si dhe se duan anëtarësim në institucione të tjera dhe njohje të mëtutjeshme të pavarësisë.
Ai thotë se në atë rast Serbia do të reagojë dhe do të pyes nëse marrëveshja e Uashingtonit është ende e vlefshme. Kjo e fundit ka skaduar vitin e kaluar dhe nuk ka pasur dakordim mes dy palëve për vazhdimin e saj. /Lajmi.net/

