Garë e ashpër ishte zhvilluar në zgjedhjet lokale vitin e kaluar në Vushtrri. Ferit Idrizi i PDK-së e Xhafer Tahiri i LDK-së ishin përballur në një balotazh, me akuza të ashpra për njëri-tjetrin. Shpenzimi i parasë publike dhe projektet e ndryshme, ishin bërë ‘mollë sherri’ disa herë në debatet mes të dyve. Tash e më shumë se katër muaj që kur Vushtrria është nën udhëheqjen e Ferit Idrizit të PDK-së, shpenzimet nuk kanë qenë të vogla siç premtohej në fushatë.
Pas ministrave të kabinetit qeveritar e kryeministrit Kurti, gazeta Nacionale do të raportojë edhe për shpenzimet e drekave, mëditjet e udhëtimet për kryetarët e komunave. E para është një komunë të cilën e udhëheq një nga partitë opozitare në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës e riktheu qeverisjen në Vushtrri, pasi kandidati i saj Ferit Idrizi e mposhti Xhafer Tahirin.
Më 6 dhjetor të vitit 2021, Idrizi e pranoi detyrën nga Xhafer Tahiri i LDK-së. Që nga atëherë, kryetari i Vushtrrisë bashkë me drejtorët e tij dhe pjesën tjetër të kabinetit, shpenzuan goxha para për dreka zyrtare. Megjithatë, vetë komuna po krenohet se shpenzimet janë shumë më pak se për periudhën e njëjtë vitin e kaluar.
Por, sa shpenzoi Idrizi me drejtorët?
Në muajt dhjetor, janar, shkurt e mars deri në ditët e para të prillit, Ferit Idrizi bashkë me drejtorët dhe pjesën tjetër të kabinetit, kanë shpenzuar saktësisht 8 mijë e 61 euro për dreka zyrtare.
Kurse, për mëditje, nga buxheti i Kosovës janë ndarë 1 mijë e 751 euro për kryetarin e Vushtrrisë, ose drejtorët dhe anëtarët e tjerë të kabinetit.
Në total për dreka zyrtare e mëditje, për pak më shumë se 4 muaj, qeverisja e PDK-së në Vushtrri, shpenzoi mbi 9 mijë e 800 euro.

