Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, ka njoftuar se bufeja e parlamentit është nën menaxhimin e një operatori privat, ku nga ai kanë kërkuar që të mos shërbehen produkte nga Serbia , në të kundërtën do t’i shkëputet kontrata.
Përmes një postimi në Facebook, Kërçeli ka thënë se këtë kontratë e kanë gjetur në Kuvendin e Kosovës, para kohës kur në krye të parlamentit ka ardhur Konjufca.
Sipas tij, ky operator privat ka marrëveshje me Kuvendin tash e mbi 15 vite.
“Rreth produkteve serbe në Kuvendin e Kosovës. 1.Kuvendi i Kosovës ka privatizuar shërbimet e byfesë, duke ja ofruar një operatori privat. 2.Ky operator privat, ka marrëveshje me Kuvendin tash e mbi 15 vite. 3.Këtë marrëveshje apo kontratë, kjo legjislaturë e re, e ka gjetur në Kuvendin e Kosovës (dmth këto shërbime ofrohen para ardhjes së kryeparlamentarit Konjufca) 4.Kabineti i Kryetarit, ka kërkuar që këto produkte mos të shërbehen më në Kuvendin e Kosovë. Kuvendi i Kosovës si pasojë e shërbimeve jo profesionale, ka njoftuar operatorin se i shkëputet kontrata”, ka shkruar ai.
Theksojmë se sot, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i kërkoi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës që në bufenë e parlamentit të hiqen produktet me prejardhje serbe. /Zëri