Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë thirrje që të vaksinohen kundër COVID-19 edhe fëmijët.
Hoti në rrjetin social Facebook ka publikuar një njoftim për efektet anësore që mund t’i kenë fëmijët pas marrjes së vaksinës anti-COVID.
“Pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19 fëmijët mund të kenë disa efekte anësore, si dhimbje krahu ose dhimbje koke. Këto janë shenja normale që tregojnë se trupi i tyre po ndërton mbrojtje kundër COVID-19”, tha ai.
Sipas tij, efektet anësore zakonisht zhduken pas 1-2 ditëve dhe janë të ngjashme me efektet anësore të vaksinave të tjera të fëmijërisë.
Theksojmë se Ministria e Shëndetësisë në muajin nëntor miratoi dhënien e vaksinës kundër koronavirusit, e prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç.
“Vaksinimi i kësaj grup-moshe mund të bëhet në të gjitha qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë, vetëm në prani të prindit ose kujdestarit ligjor. Për vaksinimin e fëmijëve të kësaj grup-moshe prindërit e tyre ose kujdestarët ligjorë nuk kanë nevojë të caktojnë paraprakisht termin, por vetëm të paraqiten në qendrën e vaksinimit në komunën përkatëse”, u tha në njoftimin e MSH-së. /Zëri