Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.6 për qind, rreth 2 për qind më e ulët se në raundin e parë të zgjedhjeve. Komunat me daljen më të madhe vazhdojnë të jenë Mamusha (45 për qind), Juniku (41 për qind) dhe Kllokoti (37 për qind) ndërsa dalja më e ulët deri në 15:00 është regjistruar në komunën e Prizrenit (19 për qind) dhe Dragashit (17 për qind).
Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Vushtrria dhe Mamusha janë ndër komunat që krahasuar me daljen e votuesve në raundin e parë, kanë shënuar rënien më të madhe. Rritje domethënëse në trendin e votimit, krahasuar me raundin e parë, është shënuar në Junik, Podujevë dhe Shtime.
Trendi i njëjtë i mosrespektimit të masave mbrojtëse kundër COVID-19 ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë të ditës, si nga ana e stafit zgjedhor ashtu edhe nga qytetarët.
Me rritjen e daljes në zgjedhje të votuesve, janë rritur edhe rastet kur të njëjtit kanë hasur vështirësi në gjetjen e emrit në listën e votuesve. Ky fenomen është raportuar në rreth 35 për qind të vendvotimeve, me deri në 10 raste të raportuara në secilin prej tyre.
Sa i përket votimit me asistencë, trendi ka vazhduar të rritet eksponencialisht që nga orët e paradites, duke bërë që ky fenomen të jetë i shprehur pothuajse në secilin vendvotim. Madje, në mbi 30 për qind të vendvotimeve janë regjistruar deri në 50 raste të votimit me asistencë.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar në dy raste frekuentim të qendrave të votimit nga eksponentë të subjekteve politike, dhe atë në komunën e Gjakovës dhe Podujevës.

