Në Qendrën e Numërimit të Votave ka filluar procesi i rinumërimit të tetë vendvotimeve për kryetar komune, si dhe 15 tjerë për Kuvende Komunale.
Vendvotimet të cilat kanë shkuar në rinumërim me emrat e kandidatëve për kryetar komunash janë nga Kaçaniku, Klina, Mitrovica e Jugut, Podujeva, Prizreni, Skenderaj si dhe Prishtina.
Ndërsa ato me emrat e kandidatëve për Kuvendin Komunal janë nga Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Novëbërda dhe Podujeva nga një, Prishtina dhe Prizreni nga katër, si dhe Skenderaj me tre vendvotime në rinumërim, njofton Klankosova.tv.
“Arsyet për rinumrëim janë se në disa vendvotime formularët e rezultateve kanë qenë të paplotësuar ose të plotësuara pjesërisht dhe ka pas raste kur kanë munguar nënshkrimet e anëtarëve të këshillave të vendvotimit, andaj duhet bërë rinumërimi me qëllim të saktësimit të gjendjes brenda kutive të votimit”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Puna po bëhet në 20 tavolina të numërimit, besojmë që brenda pak orëve do të përmbyllet”, shtoi ai në Info Magazine të Klan Kosovës.

