Punëtorët e sektorit privat në Kosovë në ditën ndërkombëtare të tyre kanë protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ata kanë marshuar drejt Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësistë e tyre dhe shkeljen e të drejtave në punë.
Alush Sejdiu nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka thënë se kërkesat e këtij sektori janë të shumta, sipas tij 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Kosovën e gjen në një situatë të rëndë.
“Përveç COVID-19, punëtoret ballafaqohen me shkeljet e të drejtave më elementare duke filluar prej largimit nga puna, prej pagës minimale, prej mosrespektimit të kontratës kolektive, mosrespektimit të ligjit të punës dhe deri tek mosrespektimi i orarit”, ka thënë Sejdiu, njofton Klan Kosova.
Tutje ai thotë se kërkesa e tyre ndaj Qeverisë është respektimi i ligjit dhe paga minimale të jetë se paku 400 euro.
“Kërkesa jonë ndaj Qeverisë është respektimi i ligjit dhe marrja e masave ndaj punëdhënësve, të cilët i shkelin të drejtat e punëtorëve të garantuara me ligj. Paga minimale duhet të jetë së paku 400 euro, të zbatohet 0.5% e përvojës së punës dhe orari i punës të respektohet dhe për çdo shtesë të kompensohen punëtorët e të garantohet transporti”.