Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar në një konferencë për media se gjatë takimit të sotëm me ministrin e jashtëm gjerman, Heiko Maas kanë diskutuar edhe për Kosovën.
Ai mes tjerash tha se Serbia dëshiron zgjidhje kompromisi me Kosovën.
“Siç e dini, Gjermania ka njohur pavarësinë dhe Gjermania mbështet vazhdimin e dialogut, për të cilin Serbia është e gatshme. Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi dhe beson se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhja më e mirë sepse dikush gjithmonë mund ta heq atë. Ne kemi nevojë për paqe me shqiptarët “, tha presidenti i Serbisë, raporton Kosovo Online.
Vuçiq deklaroi se ishte shumë e rëndësishme që Serbia të theksojë faktin se ajo ka marrëdhëniet më të afërta ekonomike me Gjermaninë.
Ai tha se ishte gjithashtu mirënjohës kancelares Angela Merkel për ndihmën e Serbisë në të gjitha fushat.
“Ne nuk do të harrojmë shumë nga ato që bëri për ne”, tha Vuçiq.
Maas shkoi nga Prishtina në Beograd ku në Kosovë zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.