Adil Behramaj, ish-këshilltar i ish-presidentit, Hashim Thaçi, i ka reaguar ashpër zv/ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili në një intervistë tha se dikush nga të akuzuarit e Speciales ka marrë më shumë para se që duhet nga shteti për mbrojtje juridike në Hagë.
Me anë të një postimi në Facebook, Behramaj ka akuzuar Sallahun se po e ushqen publikun me thashetheme, madje edhe duke qenë person përgjegjës për të dhënë informacione, shkruan lajmi.net.
Të njëjtin, Behramaj e ka quajtur “pallavraxhi”, teksa ka ironizuar duke thënë se ndoshta ai ka menduar se paratë duhet t’u shkojnë prokurorëve të Speciales e jo mbrojtjes.
“Nëse nuk iu pëlqen ligji aktual që u siguron përkrahje financiare të akuzuarve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, tani që e kanë pushtetin absolut le ta bëjnë një ligj të ri dhe buxhetin e planifikuar për mbrojtjen le ta vendosin në përkrahje të prokurorëve të Gjykatës Speciale”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Zëvendësministër i Drejtësisë qenka, person përgjegjës për të dhënë informacione zyrtare, ndërsa publikun vazhdojnë ta ushqejnë me thashetheme, që veç mendja e tyre di t’i prodhojë.
Qe, regjimi i ri, çfarë pallavraxhinj i ka zëvendësministrat!
Ndoshta more ka menduar që paratë duhet t’i shkojnë prokurorisë, jo mbrojtjes.
Nëse nuk iu pëlqen ligji aktual që u siguron përkrahje financiare të akuzuarve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, tani që e kanë pushtetin absolut le ta bëjnë një ligj të ri dhe buxhetin e planifikuar për mbrojtjen le ta vendosin në përkrahje të prokurorëve të Gjykatës Speciale. /Lajmi.net/