Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Konjufca shprehu vlerësimin e tij se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët, prandaj të tilla duhet të jenë edhe qëllimet.
“Në këtë kontekst, integrimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe avancimi drejt BE-së e bën më të sigurt edhe vet Kosovën si aspiruese e këtyre integrimeve”, tha Konjufca.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se Osmani e uroi Konjufcën për konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë, duke besuar se tashmë stabiliteti institucional i Kosovës do të reflektojë edhe në intensifikimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Po ashtu, ministri Osmani e konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Maqedonisë Veriore në rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke garantuar se shteti i tij do vazhdojë përkrahjen ndaj Kosovës edhe në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Osmani e informoi Konjufcën për fillimin e investimeve infrastrukturore që kanë nisur në Maqedoninë Veriore (vazhdimi i autostradës nga Bllaca në Shkup), e të cilat do ta lehtësojnë dhe rrisin volumin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve.