Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënsë se situata në Kosovë dita-ditës është duke u rënduar dhe se ka dalë totalisht nga kontrolli.
‘Kur po diskutojmë për këto dy tema kaq të rëndësishme, siç janë: gjendja me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi nga njëra anë dhe nga ana tjetër situata e rënduar ekonomike si pasojë e pandemisë që u shfaq në vendin tonë më shumë se një vit më parë, me bindje të plotë mund të them se situata dita-ditës është duke u rënduar edhe ka tendencë të dalë totalisht nga kontrolli’, ka thënë ai në debadin parlamentar në Kuvend.
Berisha ka thënë se Qeveria deri në këtë kohë do të duhej të vaksinonte 50 përqind të popullatës, duke kritikuar ministrin e Shëndetësisë se në vend së të angazhohej “me tërë qenien e tij dhe të kabinetit të tij për furnizim me vaksina, ai gjen kohë të merret me inate politike”.
“Sot, kur po flasim për çështjen e pandemisë, do të duhej që së paku 50% e popullatës së Kosovës të ishte e vaksinuar, mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Që nga 22 marsi 2021 kur ky Kuvend ka votuar dhe ka zgjedhur ekzekutivin e vendit, nga ana e qeverisë Kurti, nuk kemi vërejtur as më të voglën përpjekje serioze për të siguruar furnizim stabil me vaksina kundër virusit korona dhe kështu, sado pak të ofrohej një lloj sigurie se edhe vendi ynë do të shkojë drejt normalitet. Mirëpo, të nderuar deputetë, siç e dimë të gjithë ne dhe opinioni i gjerë publik, ka ndodhur e kundërta e asaj që do të duhej të ndodhte”.
“Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në vend së të angazhohej me tërë qenien e tij dhe të kabinetit të tij për furnizim me vaksina, ai gjen kohë të merret me inate politike dhe kështu të mos i pranojë rezultatet që u arriten nga qeveria e kaluar. Pra, ministri Vitia nuk pranoi ta firmosë kontratën për blerjen e vaksinave në një afat sa më të shkurtër kohor. Me këtë rast, ai veproi çudishtëm e befasishëm. Në orët e mbremjes të datës 16 prill, me urgjencë ftoi mediet në një konferencë të jashtëzakonshme, por në këtë konferencë nuk qe në gjendje të jep asnjë lajm të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, pra se është siguruar një numër i konsiderueshëm vaksinash, se është përmirësuar gjendja me ilaçe anti-COVID, por doli dhe akuzoi mediat dhe i cilësoi si armiq të shtetit, por edhe të popullit”.
Për këtë çështje, Berisha ka thënë se Vitia veproi si në sistemet totalitare.
“Siç dihet, më 15 prill ministri, Arben Vitia, është dashur ta nënshkruajë kontratën me kompaninë amerikane për furnizim me vaksina. Këtë nuk e ka bërë dhe si pasojë e neglizhencës së tij për t’i kthyer përgjigje kompanisë Pfizer dhe BioNtech, furnizimi me 500 mijë doza vaksinash nga kjo kompani është shtyrë së paku deri në muajin shtator e me gjasa reale që edhe të dështojë si proces”.