Kosova mund të mos furnizohet me 100 mijë e 800 vaksina nga COVAX deri në maj, ashtu siç është premtuar. Kjo për shkak të sasisë së kufizuar të vaksinave. Nga Aleanca Botërore e Vaksinimit COVAX, janë premtuar gjithsej 360 mijë vaksina falas për vendin, por që furnizimi me to nuk dihet se kur do të bëhet, raporton Gazeta Express.
Kosova mund të mos furnizohet me 100 mijë e 800 vaksina anti-COVID nga COVAX deri në maj, ndonëse një gjë e tillë është premtuar në fillim të këtij muaji.
Zëdhënës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Express se me 33 mijë doza të vaksinës nga kjo aleancë, Kosova do të furnizohet gjatë muajit mars.
Ndërsa, pjesa tjetër sipas MSH’së do të vijë deri në muajin maj.
“Më 2 mars mekanizimi ndërkombëtar COVAX ka konfirmuar listën e shteteve përfituese nga raundi i parë i ndarjes së vaksinave kundër COVID-19 për periudhën shkurt-maj 2021. Në këtë raund Kosova është bërë e ditur se përfiton 100,800 doza, prej të cilave dozat e para apo rreth 33 mijë pritet të arrijnë si kontigjencë e parë. COVAX ka filluar shpërndarjen së pari në shtete me situatë epidemiologjike më të ngarkuar sa i përket COVID-19, dhe Kosova do të jetë shpejt në mesin e shteteve që i marrin dozat e para”, është thënë për gazetën.
Nga Ministria e Shëndetësisë është thënë tutje se plani i vaksinimit është hartuar, janë plotësuar kushtet dhe ka mbetur vetëm distribuimi i dozave të para të vaksinës dhe fillimi i këtij procesi.
Mirëpo, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave “Gavi”, kanë thënë për Express se sasia në dispozicion e vaksinave anti-COVID të COVAX është e kufizuar.
Ndonëse nuk kanë dhënë informacione nëse Kosova deri në maj do të furnizohet me 100 mijë e 800 vaksina, nga kjo aleancë është thënë se për shkak të sasisë së kufizuar, për furnizimin përfundimtar do të zhvillohen negociata e marrëveshje shtesë me shtetet pjesëmarrëse.
“Furnizimi përfundimtar i këtyre dozave do t’i i nënshtrohet negociatave dhe ekzekutimit të marrëveshjeve shtesë; konfirmimit të pranimit dhe zbatueshmërisë së kërkesave për trajtimin e produkteve, konfirmimi i gatishmërisë së vendit AMC; dhe konfirmimin e pranimit rregullator të OBSH-së EUL nga ekonomitë pjesëmarrëse”, është thënë për gazetën.
Përndryshe nga “Gavi”, kanë thënë se shtetet pjesëmarrëse duhet t’i plotësojnë disa kritere para se të furnizohen me vaksina.
Nga Ministria e Shëndetësisë është thënë se kriteret janë plotësuar dhe po presin furnizimin.
Ndërsa, as nga Qeveria e as nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë treguar për gazetën se pse këtë muaj vendi do të furnizohet me vetëm 33 mijë doza të vaksinës, ndonëse është thënë se janë në bisedime direkte me prodhuesit dhe distributorët.
Infektologë në vend kanë deklaruar se furnizimi me një sasi të vogël të vaksinave nuk do ta ndihmojë vendin në menaxhimin e gjendjes me pandeminë, ndërsa mbetet të shihet deri në maj nëse Kosova do të furnizohet me të gjitha dozat e premtuara nga COVAX për raundin e parë.
Derisa Kosova nuk po furnizohet me vaksina anti-COVID, numri i të infektuarve dhe viktimave nga ky virus po vazhdon të rritet./GazetaExpress/