Kandidati për kryetar të LDK-së, Anton Quni, ka thënë se nëse ai e fiton garën do t’ua ofrojë pozitat e nënkryetarëve kundërkandidatëve të tij – Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikut dhe Besian Mustafës.
“Përvoja dhe kredibiliteti i këtyre kandidatëve janë një vlerë e shtuar në udhëheqjen time eventuale të LDK-së. Sigurisht se eksperienca e tyre është shumë e vlefshme të materializohet përmes strukturave udhëheqëse të partisë, prandaj me kënaqësi do t’iu ofroj pozitat e nënkryetarëve”.
Quni, në një intervistë për klankosova.tv, nuk ka treguar se pse duhet të fitojë ai dhe jo Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku ose Besian Mustafa veç se thotë se secili nga ta ka dhënë kontributin e tyre personal dhe profesional në parti dhe në institucione.
“Unë e vlerësoj secilën nga kandidaturat për Kryetar të LDK-së. Secili nga ata ka dhënë kontributin personal dhe profesional në pozita të rëndësishme brenda partisë, si dhe në institucionet e nivelit qendror dhe lokal”.
Quni ka thënë se, nëse nuk zgjedhet kryetar i LDK-së, do të urojë cilindo që do të dalë fitues.
“Unë tashmë kam uruar edhe fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, sepse besoj fuqishëm se njohja e rezultateve që dalin nga proceset kredibile zgjedhore është shprehja e standardeve më të larta të demokracisë”.
Nesër me fillim nga ora 10:00 do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Si asnjëherë më parë, në garë për të marrë drejtimin e LDK-së janë katër kandidatë: Anton Quni, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit pësoi humbjen më të thellë që nga themelimi i saj dhe kjo bëri që kreu i saj, Isa Mustafa, të dorëzojë dorëheqjen duke hapur mundësinë për zgjedhjen e një kryetari të ri.