Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Safet Kamberi, ka thënë se legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës e presin shumë sfida.
“Për ne si LDK këto ditë janë të veçanta, në rend të parë janë për krijimin e institucioneve kryesore të Kosovës, do të formohet legjislatura e re. Këta deputetë do t’i presin shumë angazhime, një prej sfidave është çështja e pandemisë që do të jetë bukur sfidë edhe për Kuvendin edhe për Qeverinë”.
“Këta deputetë do të kenë sfida në krijimin e ligjeve, por besojmë se kjo legjislaturë do të jetë më stabile se ato të kaluarat. Ne e kemi parë që kishte mundësi më të vogla të punës, ne si LDK presim stabilitet dhe që të punohet sa më shumë nga anëtarët e të gjithë Kuvendit”, ka thënë Kamberi në mbulimin special të Klan Kosovës.
Kamberi ka folur edhe për atë se a do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës.
“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të vazhdojë ta mbajë edhe një takim me Osmanin për t’i kuptuar qëllimet dhe ambiciet e saj me këtë pozitë. Ne kërkojmë që presidenti i ri do duhet të ketë qasje të barabartë me të gjitha subjektet politikë”, ka thënë Kamberi.