Në mënyrë unike kandidoi në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i priu listës zgjedhore por qe pretendent për President të Republikës, njofton Klan Kosova.
Por a ka hequr dorë Haradinaj nga synimi për postin presidencial?
”Nuk po flasim për pozita AAK ka dalur në zgjedhje ka pas një ofertë,nëse dikush ka një interesim me diskutu me ne jemi të hapur me atë që dihet. Nëse jo e ndihmojmë vendin nga opozita”, tha shefi i AAK-së pas një mbledhje të strukturave të partisë të enjtën paradite.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk doli mirë në zgjedhje ajo mori 62 e 111 vota dhe është e katërta në nivel vendi.
E ndërkohë subjekti u dridh me zhvillimet brenda partiake.
Meliza Haradinaj Stublla u dorëhoq nga partia dhe posti i ministres së punëve të jashtme.
Kjo pas daljes në pah të pretendimeve se burri i saj bleu vota në favor bashkëshortes në bashkëpunim me komisionerë në Qendrën e numërimit e Rezultateve.
”Edhe ne jemi të shqetësuar me keqpërdorimet që kanë ndodhur në disa raste pra nga disa komisioner e vëzhgues të pandërgjegjshëm. Prandaj kërkojmë që organet e rendit e të ligjit pra hetuesia të veprojë e kriminelët e votës të përfundojnë në burg. Pra të gjitha partive”.
Ish-kryeministri po ashtu shpalosi një kërkesë që doli pas mbledhjes së partisë.
”Ne kërkojmë rinumërim të përgjithshëm të votave me prezencë të organeve te hetuesisë”.
Pas ankesave për manipulime me vota, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar rinumërimin e disa vendvotimeve për votat e deputetëve, përfshirë votat që ka marrë AAK-ja.