Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari ka bërë të ditur se i ka kërkuar drejtorëve të shkollave të Skënderajt, të mos i ndalin kamerat nëpër klasa ditën e zgjedhjeve, me qëllim sipas tij, ruajtjen e votës, transmeton Gazeta Sinjali.
Megjithatë sipas Jasharit, drejtorët e shkollave e kanë informuar se u është kërkuar nga KQZ-ja që të mos bëjnë një gjë të tillë.
“Për me tepër, Komisioni Qendror Zgjedhor, përmes zyrtarit, Nexhmedin Hyseni ka dërguar në drejtim të KKZ- Skenderaj një e-mail përmes së cilës ka urdhëruar KKZ-në që të ndalen kamerat në vendvotime, me pretekstin që “ky veprim është i kundërligjshëm në cenimin e lirive dhe të drejtave të votuesve””, ka shkruar Jashari në Facebook.
Jashari tutje ka shkruar se vendosja e kamerave nëpër klasa nuk është shkelje por që shkelje do të ishte vendosja e tyre nëpër kabinat e votimit.
“Në funksion të konsolidimit të demokracisë liberale në shtetin tonë dhe në veçanti në komunën që unë udhëheq, për të pasur një proces të lirë dhe demokratik në këto zgjedhje të parakohshmë parlamentare, për të ruajtur votën e shenjtë të qytetarit dhe kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, ditë me parë kam takuar drejtorët e shkollave të Skenderajt, nga të cilët kam kërkuar që në diten e votimit të vazhdojnë të jenë funksionale kamerat në klasa si në çdo ditë tjetër mësimore”.
“Për këtë situatë të krijuar kërkoj nga KQZ që të ndermerrë hapa konkret, konformë legjislacionit në fuqi duke dënuar e eliminuar çdo keqëperdorim të pozitës zyrtare”, ka shkruar tutje ai. /Gazeta Sinjali/