Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj ka mbajtur tubim madhështor në Mitrovicë, ku ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj nga vendlindja e Kadri Veselit duke thënë se Thaçi e Veseli do të kthehen faqebardhë, ka theksuar se askush nuk mund ta rishkruaj historinë e UÇK-së dhe shtetformimit të Kosovës.
“PDK e fortë e bënë Kosovën më të fortë, por PDK e fortë në Kuvend dhe në Qeveri i bënë edhe shokët tanë në Hagë më të fortë. Sa më shumë që ta forcojmë PDK-në aq më shumë do t’i forcojmë shokët tanë, aq më shumë do ta forcojmë shtetin e Kosovës dhe këto janë pritje, janë ideale që ne i kemi si PDK dhe krenohemi me liderët tanë. Heronjtë tanë të gjallë, të cilët në mënyrë të padrejtë po mbahen në Gjykatë do të kthehen në Kosovë fitmitarë dhe faqebardhë sikur çdo herë”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se PDK-ja si parti nuk dorëzohet përballë goditjeve, siç ka qenë edhe ajo nga Gjykata Speciale.
“Kushdo që ka menduar që PDK nga goditja që ka pësuar do të dorëzohet ne kemi treguar një unitet, ne kemi treguar një solidaritet, ne kemi treguar vendosmëri. Një parti e cila ka dalë prej shtigjeve kah ka ecur UÇK-ja, e cila është formuar prej të burgosurve politikë, e cila është formuar prej intelektualëve, prej minatorëve, prej ndërmarrësve, nuk është një parti e cila në kohë stuhish e ngrit flamurin e bardhë, po një flamur që e ngrisim ai është flamuri i UÇK-së, ai është flamuri i PDK-së, ai është flamuri i shtetit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka vlerësuar se fitorja e PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë vendimtare që Kosova të vazhdojë të mbetet shtet demokratik, përkundër tendencave të të tjerëve për të instaluar një sistem totalitar.