Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se Kosova e ka për obligim të mbrojë pastërtinë e UÇK-së, prandaj kjo duhet të bëhet edhe përmes pagesës së mbrojtjes së avokatëve të të akuzuarve të Dhomave të Specializuara.
Derisa në të kaluarën mbrojtja u pagua nga dashamirë, Selimi thotë se tani Kosova është shtet më i fortë dhe duhet ta bëjë këtë vetë, njofton Klan Kosova.
“Shteti ynë është ndërtuar mbi ato vlera dhe parime të UÇK-së, andaj e kemi obligim që ato vlera dhe atë luftë ta mbrojmë institucionalisht. Prandaj, është bërë ai ligj që më obligon mua dhe Ministrinë e Drejtësisë që t’i ndihmojmë të gjithë të akuzuarit potencialë nga Dhomat e Specializuara”.
Nga ky ligj kanë dalë tri udhëzime administrative që e rregullojnë mënyrën se si mbrohen personat e akuzuar nga Specialja dhe Selimi thotë se në bazë të ligjit ka pranuar edhe disa kërkesa nga mbrojtja, të cilat do të paguhen në tri parametra.
“Ne do t’i shikojmë tarifat e Odës së Avokatëve të Kosovës, do t’i shikojmë tarifat e Odës së Avokatëve të Holandës,dhe do t’i shikojmë tarifat e odave të avokatëve nga shteti prej nga vjen avokati. Këta tre parametër do të jenë të mjaftueshëm që të aprovohet apo të hidhet poshtë kërkesa e këtyre avokatëve. Këtë do ta bëjë një komision i përbërë nga shërbyesit civilë që e kanë kaluar procesin e verifikimit nga AKI dhe që e kanë letrën e shtetit që të punojnë me ato kërkesa”.
Selimi në Info Magazine ka thënë se si i emëruar politik është më mirë për të që të mos përzihet në çështje të avokatëve dhe këtyre pagesave dhe se e konsideron komisionin profesional që të kryejë këtë punë.
Për të gjithë të akuzuarit aktualë dhe potencialë janë ndarë 20 milionë euro.
Ndërkaq, për iniciativat e reja për krijim të fondacioneve për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po akuzohen në Hagë, Selimi ka thënë se Kosova e kryen obligimin e saj, por nëse dikush do që të mbrohet me para të veta apo të fondacioneve mund ta bëjë dhe ka të drejtë ligjore.
Gjithashtu, për krijimin i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, Selimi tha se është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për brezat e ardhshëm, prandaj shtoi se është i lumtur që është votuar nga kabineti qeveritar.