Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e komunës së Prishtinës që lëvizja e qytetarëve me autobusët e Trafiku Urban në Prishtinë të jetë pa pagesë për muajin dhjetor.
Por asamblistë të kësaj partie, po kërkojnë që vendimi të jetë i plotë dhe të zgjasë deri në mars të vitit të ardhshëm, ashtu siç është propozuar nga ta.
Asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri përmes një konference për media tha se kryetari Shpend Ahmeti përmes linjave buxhetore këtë vendim duhet ta zgjasë edhe në vitin 2021.
“Ne si grup kemi propozuar që trafiku urban të jetë pa pagesë për të gjithë qytetarët e Prishtinës për katër muaj. Që nga muaji nëntor, dhjetor, janar, shkurt deri në mars. E kemi parë një qëndrim të kryetarit të komunës, se në vitin 2020 nuk është paraparë të ketë linjë për këtë çështje. Por unë nga këtu i bëj thirrje kryetarit të komunës që të vë gjitha procedurat në zbatim në mënyrë që në vitin 2021 të futet një linjë buxhetore për këtë aspekt”.