Gjykata Kushtetuese ka vendosur për ankesën e NISMA-AKR-PD-së ndaj vendimeve të Gjykatës Supreme për të numëruar votat nga jashtë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, ndonëse ato kishin ardhur jashtë afatit të përcaktuar ligjor, trasnmeton Gazeta Metro.
Fillimisht Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 3 nëntor, kishte vendosur se pakot me vota të arritura jashtë afatit të caktuar me ligj, 24 orë nga dita e zgjedhjeve, nuk duhet numëruar.
Por, Supremja kishte vendosur në dy raste për numërimin e pakove të votave nga jashtë.
Më 5 nëntor Gjykata Supreme kishte vendosur në favor të ankesës së LVV-së për numërimin e 1806 pakove të fletëvotimeve të ardhura me postë pas datës 5 tetor. Kishte rikonfirmuar vendimin e marrë më 30 tetor të atij viti.
NISMA-AKR-PD, që arritën të kalojnë pragun dhe të bëhen pjesë e Kuvendit, kishin dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuesja të enjten ka vendosur se aktgjykimet e Supremes më 30 tetor dhe 5 nëntor, nuk janë në përputhje me nenin 3 të protokollit nr .1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja po ashtu ka konstatuar se vendimet e PZAP-së më 3 nëntor, ishin në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Është refuzuar kërkesa për masë të parakohshme.
Kushtetuesja ka vendosur se ndonëse aktgjykimet e Supremes nuk ishin në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ato nuk kanë efekt prapaveprues të rezultatit të shpallur zgjedhor në rastin konkret, porse aktgjykimi në këtë rast prodhon katër efekte të rëndësishme.
“Aktgjykimi në këtë rast prodhon të paktën katër efekte të rëndësishme, si në vijim: (1) sqarimi i të drejtave dhe obligimeve të gjykatave të rregullta për rastet kur ato ballafaqohen me norma të rangut ligjor që pretendojnë se janë në kolizion me norma të rangut kushtetues; (2) shfuqizimi i dy vendimeve të kontestuara të Gjykatës Supreme dhe lënia në fuqi e dy vendimeve të PZAP-së ashtu që, përderisa Kuvendi i Republikës së Kosovës e len në fuqi nenin 96.2 të LZP-së, të gjitha votat që arrijnë në KQZ pas afatit të paraparë ligjor duhet të deklarohen si vota të pavlefshme dhe nuk duhet të numërohen e as të përfshihen në rezultat përfundimtar të zgjedhjeve; (3) qartësimi se në rrethanat e rastit konkret nuk ka ekzistuar kolizion në mes të normës së rangut ligjor dhe asaj të rangut kushtetues dhe se, në këtë aspekt, Gjykata Supreme e ka deklaruar kolizionin në fjalë në mënyrë arbitrare, duke tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese dhe pa arsyetim të mjaftueshëm dhe adekuat; dhe se (4) gjetja e shkeljes ia mundëson parashtruesit të kërkesës të konsideroj shfrytëzimin e mjeteve tjera juridike në dispozicion për realizimin e mëtejmë të të drejtave të tij në përputhje me gjetjet e këtij Aktgjykimi”, thuhet nga Gjykata Kushtetuese.
Pas këtij vendimi kanë reaguar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu ka thënë se mërgata në zgjedhjet e ardhshme, duhet të vijnë fizikisht ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Deputetët e grupeve tjera parlamentare, mërgatës tonë nuk ua lehtësojnë procedurat e votimit jashtë vendit dhe tani sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votat me postë të mërgatës nuk numërohen nëse ato mbërrijnë pas afatit, pavarësisht nëse ata i dorëzojnë me kohë zarfet. Nëse në KQZ mbërrijnë me vonesë, pavarësisht që kjo shpesh bëhet qëllimshëm, sipas GJK, ato vota s’do të numërohen!
Sipas Gjykatës Kushtetuese, një procedurë ligjore është mbi të drejtën kushtetuese të votës”, ka thënë Haxhiu.