Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se Ligji kundër terrorizmit nuk është në kundërshtim me parimet e tyre por dyshimet janë me aplikimin praktik.Në Serbinë që pakicat e sidmos shqiptarët , satanizohen dhe konsiderohen si “terroristët kujdestarë” dyshojmë se mund të keqpërdoret ky ligj, shkruan Kamberi.Kamberi thotë se demokratizimi i institucioneve në Serbi ka shënuar kthim prapa, përcjellë Gazeta Blic.
Ky është postimi i tij i plotë:Pavarësisht se Ligji kundër terrorizmit, në kuadër të luftës globale kundër tij, nuk është në kundërshtim me parimet e tona, dyshimet e tona të arsyeshme kanë të bëjnë me aplikimin praktik të tij.
Në një Serbi, në të cilën pakicat, veçanërisht shqiptarët, satanizohen dhe konsiderohen si “terroristët kujdestarë” ne me të drejtë dyshojmë në mundësinë e keqpërdorimit të këtij ligji për tu përdorur kundër armiqve: pakicave, opozitës apo shoqërisë civile.
Në vitin e fundit, demokratizimi i institucioneve në serbi ka shënuar kthim mbrapa.
Zgjedhjet të cilat konsiderohen jolegjitime, mosfunksionimi i paarsyeshëm i parlamentit gjatë gjendej së jashtëzakonshme, ngushtimi i hapësirës së fjalës së lirë, ka ndikuar që organizata Freedom House ta radhisë Serbinë si vend “me regjim hibrid”.
Edhe pse deklarativisht, orientimi strategjik i politikës së jashtme mbeten integrimet evropiane, deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, sidomos gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, kanë ndikuar në humbjen e besimit të qytetarëve në BE.
Deklarata e presidentit A. Vuçiq, për “marëdhëniet e hekurta me Kinën” apo kritika e tij se “Solidariteti evropian nuk ekziston-është vetëm një përrallë” radhiten në deklaratat që kanë krijuar rënien e kredibilitetit të BE-së te qytetarët.
Nga organizata botërore civile CIVICUS, Serbia konsiderohet shtet me pengesa të mëdha për veprim të shoqërisë civile.
Prandaj, edhe në rrethana të këtilla të mungesës së institucioneve kredibile dhe të besueshme që do ta aplikojnë këtë ligj, dyshimi ynë mbetet i bazuar se kjo do të keqpërdoret.