Kërkesat për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë janë të pakuptimta, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas seancës së Qeverisë së Serbisë në Beograd, transmeton Zeri.info.
Ai tha se çështja e njohjes reciproke nuk është çështje për të cilën Serbia ndonjëherë do të diskutojë, dhe përsëriti se Prishtina është e obliguar t’i përmbushë obligimet e dala nga marrëveshja e Brukselit, e cila fillimisht përfshin formimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe (AKS).
“Na duhet një zgjidhje kompromisi mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Vuçiqi, raporton Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Ai tha se në kontekstin e Kosovës, zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme për Serbinë.
“Për ta i preferuari është Joe Biden, nuk është fshehtësi kjo. Me të personalisht kam raporte korrekte, por ajo politikë nuk ishte në favor të Serbisë. Për sa i përket fitores eventuale të Donald Trumpit, që është e vështirë por jo e pamundshme, atëherë për Serbinë do të ishte paksa më lehtë”, tha Vuçiqi, duke deklaruar se “situata rreth Kosovës për Beogradin zyrtar është shumë e rëndë”, transmeton Zeri.info.
Kandidati demokrat, Joe Biden, më 4 shtator deklaroi se marrëveshja e arritur atë ditë mes Kosovës dhe Serbisë, në prani të presidentit Donald Trump, duhet të konfirmojë pavarësinë e Kosovës.
“Atë që e kam thënë gjithmonë në raportin mes Serbisë dhe Kosovës është që Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, dhe të mos jetë pjesë e Serbisë”, kishte thënë Bideni duke iu përgjigjur gazetarëve në lidhje me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për normalizim të raporteve ekonomike.
Ai po ashtu, në një konferencë për media, ka përmendur edhe faktin se i biri i tij ka shërbyer në Kosovë në kuadër të trupave amerikane të NATO-s.
Pos kësaj, Bideni si senator ka qenë aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe e ka vizituar disa herë rajonin.
Herën e fundit, si nënpresident i SHBA-së, Bideni vizitoi Kosovën dhe Serbinë, fushtin e vitit 2016.
Vuçiqi ndërkaq, në deklaratën e sotme për media, komentoi edhe deklaratën e Amfilohijes, kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, i cili u varros dje, se “kush e tradhton Kosovën, do ta tradhtojë popullin serb”.
“Ka tetë vjet që më thonë – do ta tradhtosh. Të gjithë flasin për zotimin e Kosovës, dhe në fund, i vetmi që nuk e njeh Kosovën është tradhtari Vuçiq. Unë nuk do të jem hero, por do të them që na duhet një bisedë dhe një marrëveshje, sepse kemi nevojë për paqe”, tha Vuçiqi.
I pyetur nëse opinioni vendës e kupton atë se si president i Serbisë përballet me presione në raport me Kosovës, Vuçiqi tha se është i sigurt se e dinë dhe shtoi se ishte i bindur për këtë në dy bisedat e fundit me peshkopin e KOS-it, Amfilohijen, i cili vdiq më 30 tetor.
“Në ato biseda, mitropoliti Amfilohije më tha se sot shumë më mirë e kupton pozicionin tim dhe pozicionin e Serbisë sesa i ka kuptuar më parë. Kam dëshmitarë të gjallë të flasë të vërtetën kur flas për këtë çështje”, shtoi ai./Zëri