Lëvizja Vetëvendosje ka hapur sot fushatën zgjedhore në Podujevë, ku kandidati i saj që i hyn garës për Kryetar të kësaj komune, është Shpejtim Bulliqi.
Para mediave, Bulliqi shpalosi pak nga programi i tij, që ka paraparë në udhëheqjen e Podujevës në rast se shpallet fitues, njofton Klan Kosova.
”Ne nuk do të largojmë askënd nga puna padrejtësisht. Me fitoren tonë, punësimet do të jenë vetëm me konkurse”.
”Do të punësohen njerëzit sipas kritereve të përcaktuara me ligj, por do të kenë përparësi ato familje që nuk e kanë askënd të punësuar”.
”Unë si Shpejtim, do të kem derën e hapur, për çdo shqetësim, hall apo ide të reja. Ndryshimin ne llapjanët do ta sjellim së bashku”.
”Me Shpejtim Bulliqin, në komunë e Podujevë, dhe me Albin Kurtin në Qeveri, do të shihni se sa e mirë do jetë për Podujevën”.
I pranishëm në hapjen e fushatës zgjedhore në Podujevë, qe edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Sipas tij, programi i Vetëvendosjes me Shpejtim Bulliqin, është oferta më e mirë për qytetarët e Podujevës, njofton Klan Kosova.
”Është numri 12, numri i fitores së ndryshimit të Podujevës. Më tej, Arsimi të jetë cilësor, në shërbim të zhvillimit dhe rekrutim të personelit mbi bazat profesionale”.
”Nuk do të kemi punësime me librezë partie, apo mbiemër farefisi. Do të mbështesim fermerët me zhvillim bujqësor”.
”Subvencionet dhe grantet duhet të ndahen në mënyrë të drejtë – e jo dikush të privilegjohet e dikur tjetër të ndëshkohet vetëm për shkak të përkatësisë partiake”.
”90 mijë banorë këtu në Podujevë, nuk kanë spital të tyre. Me pengesa e lakesa, duhet të shkojnë në Prishtinë për spital”.
”Ne do të angazhohemi që të ketë spital për qytetarët në Podujevë”.
”Kjo komunë ka mungesë të planifikimit urban. Do të angazhohemi për politika ambientale. E dimë që Llapi është një trevë që i ka dhënë Kulturës dhe Sportit shumë”.
”Numri i Llapit në zgjedhjet e së dielës është 12. Keni pasur fatin që të keni zgjedhje të parakohshme, një vjet para komunave të tjera”.
”Janë tre kandidatë në këto zgjedhje dhe ju e dini që kjo komunë njihet me tre emra, por kjo Komunë ka vetëm një Kryetar, ai është Shpejtim Bulliqi”.