Rrëfimi i refugjates kosovare që u bë pilote e Ushtrisë amerikane
Kur oficerja e lartë Valdeta Mehanja u ngjit në skenën e Muzeut të Aviacionit të Ushtrisë amerikane për të marrë diplomën e shkollës së fluturimit në shtator, ajo mbylli një rrugëtim të gjatë.
E lindur në Kosovë, Mehanja dhe familja e saj u larguan nga vendi kur ajo ishte vetëm shtatëvjeçare. Ajo u rrit si refugjate në Gjermani.
Kur ishte adoleshente, u kthye në Kosovë për provuar që me familjen të rinisin jetën në vendlindje. Pritnin në radhë për ndihma. S’kishin ushqim, e as para. Ishte vështirë të gjendej punë. Rrugët ishin të shkatërruara, shtëpitë e tyre duhej të rindërtoheshin. Mehanja ende s’kishte kryer shkollën.
“Të qenit refugjate në Gjermani ishte e vështirë, por duhet të them se na ka shpëtuar. Sepse ishim në gjendje të mësonim gjuhë tjetër. Ishim në gjendje të bëheshim përkthyes dhe konkurrentë më të fortë kur bëhej fjalë për të gjetur punë”, ka thënë ajo, transmeton Koha.
Ajo ka punuar si përkthyese në një termocentral dhe më pas nisi punën si IT, në një kohë kur Kombet e Bashkuara zhvilluan programe për aftësimin e njerëzve në Kosovë. Për shkak se mësoi një gjë të re, ajo ishte në gjendje të punonte edhe punë mbështetëse në Irak.
“Tashmë isha dëshmitare e tri luftërave dhe isha veç 22-vjeçare. Ne ende besonim që të shkonim në Irak ishte më sigurt se në Kosovë”, ka thënë Mehanja.
Mehanja ka reflektuar për luftën në Kosovë si “kohë e tmerrshme” të spastrimit etnik.
“Ka rrugë të ndryshme për t’u përballur me luftërat. Nëse nuk ishit me serbët, ju ishit kundër tyre. Nuk do të kishit punë. Po vuanim për bukë. Shumë prej nesh ishin në kushte të tmerrshme. Unë dhe vëllezërit e mi shikonim nëpër mbeturina mos ka mbetur diçka”, ka thënë ajo për uebfaqen zyrtare të ushtrisë amerikane.
“Motra ime e madhe dhe nëna shkonin në Kryq të Kuq, ku njerëzit nga Alabama dërgonin ushqim. E vlerësoj këtë shumë sepse na ka ndihmuar. Një qese fasule ndihmon shumë kur s’ke asgjë”, ka thënë ajo duke vlerësuar kontributin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Mundësia që të punonte në Irak në vitin 2004 përfshinte edhe vendosjen e internetit në hapësirat ku kishte misione, duke përkrahur programin e trajnimit të SHBA-së për irakianët. Për udhëtim përdoreshin konvojët ushtarakë. Në një kohë ajo udhëtonte në një mision në Tikrit. Në rrugën e kthimit drejt Bagdadit konvoi ishte sulmuar. Mehanja nuk ndihej mirë në përdorimin e armëve. Ajo e dinte se në sulme të tilla njerëzit mbyteshin. Një helikopter iu doli në ndihmë. Me këtë, Mehanja mendoi se “kjo është puna që dua ta bëj”.
Për dikë që jeta “e lumtur” ishte të kesh ushqim dhe të blesh një palë xhinse, ideja që të shërbesh një ditë në Ushtrinë amerikane ishte tejet larg. Por ajo besoi se mund të gjente rrugën deri aty.
Teksa vazhdoi të punonte në Afganistan, asaj iu dha puna që të vendoste radiolidhjet. Nuk e dinte se do të kryente punë edhe me helikopterë “Huey”.
“Mendoja ‘Çfarë? Do të prek një helikopter?’ Nuk e kuptoja çfarë kisha nënshkruar. E doja atë punë, e doja misionin”, ka thënë ajo.
Për katër vjet, ajo punoi në helikopterë duke lidhur njërin me tjetrin dhe me bazën, dhe duke përkrahur programet ndërkombëtare të Departamentit të Shtetit.
“Më duhej të instaloja antena, lidhja kabllo, programoja frekuencat e t’i menaxhoja. E doja punën dhe misionin. Ishim në gjendje të luftonin terrorizmin. Më përmbushte si punë”, ka thënë ajo.
Të qenit përreth helikopterëve, dhe puna me ushtrinë, e bëri të donte pilotimin edhe më shumë.
Kur punës mbështetëse i dha fund, ajo ishte në gjendje të rindërtonte shtëpinë e familjes dhe të ruante para për edukim në Amerikë. U pranua në Universitetin e Aeronautikës “Embry-Riddle” dhe siguroi vizën si studente. Aty u bë pilote më 2011. Vazhdoi të punonte në kohën e lirë si instruktore dhe u punësua në universitet ashtu që të vazhdonte qëndrimin me vizë pune.
Si pilote, Mehanja garoi në një garë ajrore më 2013 dhe 2014 kundër rreth 50 aeroplanëve të tjerë civilë. Ajo fitoi çmimet e para.
“Isha në gjendje të shoh sa e bukur është Amerika. Mësova shumë. Ishte moment tjetër që thosha me vete se s’ka mundësi që të jem në gjendje të garoja dhe se s’ka vend për mua në Aviacionin ushtarak. E dija se Zoti po më përgatiste për diçka më të madhe. E dija se ishte ushtria”, ka thënë ajo.
Më pas ajo vazhdoi të shërbente për “t’ua kthyer favorin” anëtarëve të shërbimit që e shpëtuan dhe e bënë shtetase të përhershme.
“Programi MAVNI u hap, ku nëse flisje një gjuhë të veçantë ose kishit ndonjë aftësi speciale mund t’i bashkoheshit Ushtrisë amerikane. Unë dhe motra ime u pranuam në program menjëherë”, ka treguar ajo.
Më 2015, ajo tashmë ishte në të 30-at, dhe synonte të bëhej pjesë e komponentes rezervë për shkak të moshës. Megjithatë rekrutuesi i tha se nuk ka vend më në Rezervë dhe se opsioni i saj ishte regjistrimi aktiv në detyrë. Ajo u pranua në Ushtri më 2015 si mekanike e “Black Hawk” edhe pse gjithçka nisi pas moshës 30-vjeçare.
“E dija se isha ndër më të vjetrat në trajnimin bazë dhe se do të ishte vështirë mentalisht dhe fizikisht. Por nuk doja ta humbja shansin dhe t’i bija pishman përjetësisht”, ka thënë ajo. “Dua të jem aty dhe të ndihmoj, kudo që ka zjarr, kudo që ka luftë”.
Si një ushtare, ajo u stacionua në Gjermani, ku kompletoi një cikël profesional për të. Për dallim nga statusi i mëhershëm si refugjate, tani udhëtonte për të parë shtetin. E vazhdoi punën në pakon e saj që të bëhej pilote e ushtrisë, por u përball me sfida e ndryshime dhe gjithçka po zgjatej më shumë se që pritej. U transferua në Afganistan, për të kompletuar një cikël tjetër.
“Në Kandahar punoja si shtetase e shteteve të treta, që ishte statusi më i dobët i ndërlidhësve në botë. Ishte shumë mirë që të jem me uniformën e ushtrisë amerikane dhe të shërbeja për vendin. Më përmbushte”, ka thënë ajo.
Ajo kompletoi tranzicionin nga detyra aktive në Gardën Kombëtare në dhjetor të 2018-s dhe më 2019 u regjistrua në Shkollën e Oficerëve. Në qershor, nisi shkollën e fluturimit. Aty plotësoi ëndrrën e saj për t’u bërë pilote e “Black Hawk”.
Duke shikuar të kaluarën, Mehanja thotë se u rrit me vetëbesim dhe me shfrytëzim të beneficioneve nga edukimi. Kjo ka thënë se e ka mësuar të mendojë për veten, të jetë e pavarur dhe të mos frikësohet asnjëherë të kërkojë për ndihmë.
Në Ushtri, ajo është e fokusuar në njerëz të tjerë si top-prioritet.
Tashmë e gjithë familja është e lidhur me Ushtrinë amerikane, me dy fëmijët tjerë të familjes që punojnë në Ushtri e me motrën që është martuar me një ish-ushtarak.