Pas Prishtinës dhe Mitrovicës që vendosen të përkrahin financiarisht të infektuarit me Covid-19, duket se komuna e Vushtrrisë do të jetë e ardhshmja që do të marrë një vendim të tillë.
Kjo pasi një nismë ka filluar qysh tani nga Grupi i Asambleistëve të PDK-së në Vushtrri që kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal për të hedhur në votim nismën për përkrahje financiare të personave të infektuar me Covid-19 në komunën e Vushtrrisë.
Këtë e ka njoftuar edhe dega e PDK-së në Vushtrri përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare.
“Të nderuar qytetarë të Vushtrrisë, na lejoni të ju njoftojmë se grupi i asamblistëve të PDK-së ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të dites “Përkrahjen financiare për të infektuarit me Covid-19 në Komunën e Vushtrrisë”, shkruan në njoftimin e Degës së PDK-së në Vushtrri.
“Mbesim me besim të thellë se ky propozim do të gjej mbështetje të plotë nga të gjitha subjektet politike në qytetin tonë.” thuhet në njoftim.