Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka reaguar për arrestimin e sotëm të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ngritja e aktakuzave dhe arrestimi i njerëzve të UÇK-së nuk duhet të kuptohet si dëshmi për fajësinë e tyre.
“Në Kosovë nuk po i iket ballafaqimit me drejtësinë dhe zbardhjen e së vërtetës për luftën e pastër çlirimtare. Besojmë thellë në pafajësinë e luftëtarëve UÇK-së, sikurse edhe në pafajësinë e z. Krasniqi, ashtu siç vlerësojmë meritat e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe të ndërtimit demokratik të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.
Kreu i partisë në pushtet, tha se duhet të kihet besim në drejtësinë e pavarur.
“Njëherësh presim se do të respektohen procedura të standardeve më të larta përfshirë edhe respektimin dinjitetit të njerëzve ndaj të cilëve ngrihen procedurat nga Gjykata Speciale”, ka thënë ai.