Rreth 100 mijë punëtorë pritet që të humbasin vendin e punës deri në fundvit. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19, e që deri më sot pa punë i ka lënë 80 mijë persona, shkruan Gazeta Express.
Të shqetësuar me këtë gjendje më së shumti janë punëtorët e sektorit privat.
Lexo Edhe:
Bulliqi e Kurti vazhdojnë takimet me bizneset në Podujevë: Qytetarët duan një komunë që ka derën hapur
Jusuf Azemi kryetar i sindikatës së punëtorëve në sektorin privat thonë për Gazetën Express se në Kosovë janë rreth 50 mijë punëtorë aktiv pa kontrata pune.
“Përgjatë kohës së pandemisë, prej fillimit e deri më tani llogaritet që e kanë humbur vendin e punës mbi 80 mijë punëtorë dhe presim që deri në fund të vitit nëse vazhdon ky trend vendin e punës pritet ta humbin 100 mijë punëtorë gjithsej. Punëtorët aktiv dhe pa kontrata pune janë 50 mijë deri më tani”, ka thënë ai për Express.
Azemi ka folur edhe për mbylljen e bizneseve në kohë pandemie. Sipas tij edhe pse nuk ka të dhëna të sakta janë përafërsisht 5 mijë biznese që kanë falimentuar.
“Për sa i përket mbylljes së bizneseve ne nuk mund të kemi diçka konkrete sepse shumë biznese po shuhen dhe po hapen të tjera që po i zëvendësojnë . Pra nuk kemi një numër stabil sepse shumë biznese që kanë falimentuar nuk e kanë deklaruar në ATK dhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë por ne mendojmë që diku rreth 4-5 mijë biznese që mund të jenë familjare, ose të ndryshme kanë falimentuar”, ka thënë ndër të tjera ai.
Sektori më i goditur nga pandemia po del të jetë gastronomia. Për Jusuf Azemin me fillimin e sezonës dimërore goditje do të ketë edhe ai i ndërtimtarisë.
“Është shumë normale që sektori më i godit nga pandemia është sektori i gastronomisë të cilët realisht e kemi një sektor që varet edhe nga sektorët e tjerë. Tani me fillimin e sezonës dimërore humbje do të ketë edhe ndërtimtaria. kjo për shkak të ndërrimit të kushteve atmosferike dhe qëndrimit të tyre në shtëpi”, ka deklaruar ai për Express.
Në ndërkohë nga ATK-ja është konfirmuar për Express se numri i bizneseve që janë mbyllur me procedura përgjatë periudhës mars-tetor është 73.
“Totali i bizneseve të regjistruara nga muaji janar deri me 30 tetor 2020 është 8535. Ndërsa, numri i bizneseve të mbyllura nga marsi deri me 21 tetor është 73”, ka konfirmuar për Express, Valentina Bytyqi-Sefa zyrtare për informim në ATK.
Qytetarët dhe bizneset janë në pritje të miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.
Në këtë Projektligji, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ndër çështjet më të përfolura rreth këtij Projektligji ka qenë krijimi i mundësisë që qytetarët të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Sipas qeverisë, me këtë mekanizëm do të futeshin në treg rreth 200 milionë euro.
Ndryshime është paraparë të ketë edhe në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Projektligji parasheh reduktimin e normës së TVSH-së nga 18 për qind në tetë, për furnizimet e hoteleve, restoranteve, dhe shërbimeve të ushqimit si dhe lirohen nga norma e TVSH-së transaksionet e sigurimit dhe risigurimit në bujqësi, për policat e sigurimeve bujqësore për kulturat bujqësore.
Po ashtu, me këtë projektligj kërkohet që mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të mund të ridestinohen edhe për kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Pra, do të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore.
Me ndryshimet në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për Administratën Tatimore, synohet që të mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve të bizneseve deri në dy vjet, sipas kritereve që do të përcaktohen, si dhe lirimi i të gjitha bizneseve nga ngarkesa e interesit për mospagesë të tatimeve, me kusht që të paguhen deri në fund të këtij viti.
Për të hyrë në fuqi ky ligj, duhet të kalojë në Kuvend edhe në leximin e dytë. Pas leximit të dytë duhet të dekretohet nga Presidenti e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare./Gazeta Express/