Maqedonia e Veriut ka arritur sukses historik të enjten mbrëma. Përfaqësuesja për të cilën luajnë shumë futbollistë shqiptarë, është kualifikuar në “Euro 2020”, që do të mbahet vitin e ardhshëm. Është hera e parë që Maqedonia e Veriut kualifikohet në një ngjarje të madhe të futbollit.
Në finale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”, Maqedonia e Veriut e mposhti Gjeorgjinë me rezultatin 1:0. Finalja e plejofit e Ligës D të Ligës së Kombeve u luajt në Tbilisi të Gjeorgjisë. Golin për Maqedonië e Veriut e shënoi kapiteni dhe ikona e kësaj përfaqësuese, Goran Pandev. Pandev realizoi gol të bukur në minutën e 56-të.
Te Maqedonia e Veriut startuan Arijan Ademi, Egzon Bejtullai, Visar Musliu e Ezgjan Alioski. Mungoi Enis Bardhi, ndërsa Ferhan Hasani nuk u ftua.
Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të plejofit e kishte mposhtur Kosovën, 2:1, në Shkup më 8 tetor.
Në “Euro 2020” do të luaj edhe Zvicra, ku po ashtu ka futbollistë shqiptarë. Nuk përjashtohet mundësia që edhe në përfaqësuese tjera të ketë ndonjë futbollist shqiptar. Por në Evropian nuk do të jenë Shqipëria e Kosova.