Analisti nga Demokracia Plus, Albert Krasniqi, në KTV ka thënë se zgjedhjet nuk duhet të përjashtohen, por edhe është reale mundësia që me PDK-në të dalë një president nga kjo legjislaturë.
“Pazaret do të bëhen herdorkurdo. Është me rëndësi të mos bëhen kompromise të ulëta, por ato politike janë të nevojshme. Kërkon një kompromis më të gjerë. Për Vetëvendosjen ky është një moment shumë i mirë për të shkaktuar zhbërjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje. Nuk është se presidenti ka shumë në dorë për të penguar apo për t’i dhënë përparësi dikujt. Varet nëse ata janë të interesuar në zgjedhje apo jo. Vetëvendosje ka një avantazh më të thellë në sondazhet e fundit”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi shton se nuk është asgjë tragjike nëse Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje.
“Dialogu me Serbinë kërkon mobilizim më të madh. Zgjedhjet s’do t’i bënin dëm vendit. Për PDK-në më mirë do të ishte të rrinte në opozitë në mënyrë që të konsolidohej nga brenda dhe të dalin më mirë në zgjedhje”, ka thënë ai në KTV.
Sipas tij ashtu siç ka bërë LDK-ja është mirë që edhe PDK-ja të dalë në opozitë pas 12 vjetësh.
“Nëse zgjedhjet do të ndodhnin menjëherë nuk do të ishte e leverdishme për PDK-në pasi nuk ka një figurë qendrore për procesin e themelimit të Qeverisë. Është momentum i përshtshëm për PDK-në (që të bashkohet me koalicionin). Gjasat janë të mëdha që PDK-ja të bashkohet me partitë e tjera”, ka thënë Krasniqi.
Ai thotë se PDK-ja tani ka edhe një krizë të identitetit.
“Tash i shohim dy PDK atë të krahut të luftës dhe atë të figurave të reja që nuk lidhen me udhëheqësit e UQK-së. Ekziston edhe rreziku i përplasjeve të mëdha”, është shprehur ai.
Ai thotë se Veseli e Thaçi kanë mundur të caktojnë ndonjë individë si lider të partisë.
Sipas Krasniqit LDK-ja do ta ketë të vështirë ta ruajë qëndrueshmërinë e institucioneve. Ajo duhet ta luajë rolin e vet si udhëheqëse e Qeverisë.
“Personalisht konsideroj se më mirë është të kemi zgjedhje. Të paktën presidenti të burojë nga një konsensus më i gjerë. Zgjedhjet nuk duhet t’i përjashtojmë por që mundësitë janë reale që me PDK-në të dalë një president nga kjo legjislaturë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij LDK-ja ka interes që të qëndrojë në qeveri dhe të heq dorë nga presidenti.
“Nuk do të jetë e lehtë për Hotin që të shtyjë përpara marrëveshjen përfundimtare që po synohet të arrihet mirëpo edhe duke pasur kontestueshmërinë në Kuvend. Kjo do të kufizojë Qeverinë edhe në aspektin e dialogut me Serbinë. Tani duhet të vendoset se si duhet shkuar tutje. Pauzimi i shpeshtë nuk është i mirë për Kosovën”, ka thënë ai.
Krasniqi gjithashtu ka deklaruar se procesi i Speciales nuk do të duhej të afektonte gjithë procesin e dialogut të Serbisë.
“Duhet të vazhdojmë përpara me procesin e dialogut pavarësisht se kush është në anën tjetër të dialogut. Nuk do të duhej të uleshim në një tavolinë pa një kërkim falje nga ana e Serbisë”, ka thënë ai.