Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po shprehet e bindur se lideri i saj, Ramush Haradinaj do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit. Por, publicisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Ulësja e Presidentit të Kosovës, të cilën e ka zënë si ushtruese detyre, Vjosa Osmani, pas rreth pesë muajve do të jetë e lirë.
Partitë politike akoma nuk ia kanë dalë që ta gjejnë një person që do t’i bënte votat e mjaftueshme.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj shprehet i bindur se do t’ia dalin ta bëjnë President kryetarin e partisë, Ramush Haradinajn.
“Ne e kemi bërë ofertën publike shumë transparente edhe ne jemi në bashkëbisedim pothuajse me të gjithë akterët politik që me e marrë besimin e tyre edhe unë jam i bindur që do ta gjejmë një kompromis dhe mirëkuptim, deklaroi Daut Haradinaj për RTV Dukagjinin.
I këtij mendimi nuk është edhe analisti politik Shkëlzen Maliqi.
“A i ka të drejtë me u kandidu por nuk po e shoh që ka shanca, sikur atëherë herën e parë kur u bë kryeministër, edhe herën e dytë që u bë kryeministër, disi me pak me hatër pak me raportin e forcave e kanë favorizuar. Po tash nuk besoj se ai do të jetë zgjidhje, deklaroi Shkëlzen Maliqi.
Emri i Murat Jasharit, nipit të komandantit Adem Jashari, është përmendur po ashtu si kandidat i mundshëm për President.
Për Haradinajn është e papërgjegjshme të përmenden emra, pa i mbledhur nënshkrimet për nominim.
“Ideja me i komprementu njerëzit permanent, sikurse ka ndodh edhe në të kaluarën, me ua laku emrat është e pandershme dhe e papërgjegjshme. Ata që duan me e nominu i mbledhin nënshkrimet dhe e nominojnë, pastaj ulemi dhe e diskutojmë”, thotë Haradinaj.
Për publicistin Maliqi, Partia Demokratike e Kosovës është ajo që mund ta luajë lojën për President.
Sa shumë i kam dhënë këtij vendi, e kurrë, kurrë s’më ka dhënë asgjë
“Formacioni që mundet me e luajt lojën është PDK-ja, PDK-ja i ka relativisht ma shumë vota në parlament dhe ajo mundet me e plotësua deri në 80, po atëherë duhet me u pajtu edhe partitë e tjera të koalicionit aktual, edhe nuk dihet pastaj a do të shkohet në rikonstituim të qeverisë”, deklaroi Shkelzen Maliqi.
Për çështjen e Presidentit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se do t’i organizojnë disa tryeza me partitë politike. /Telegrafi/