Agim Bahtiri, përmes një postimi të bërë në FB ka njoftuar se në Frashër të Mitrovicës po ndërtohen 91 shtëpi për familjet në nevojë sociale, ku do të zgjidhet çështja e vendbanimit për 91 familje mitrovicase që nuk kanë strehim dhe jetojnë në kushte jo të mira ekonomike.
“Ndërtimi i këtyre shtëpive është rezultat i dy marrëveshjeve me bashkëfinancim mes Komunës së Mitrovicës, Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe “djemtë e Mitrovicës” për ndërtimin e 51 shtëpive, si dhe marrëveshjes tjetër me Organizatën “Qatar Charity” për 40 shtëpi, një shkollë, një ambulancë, katër lokale afariste, një xhami, si dhe një objekt për nevojat e investitorit “Qatar Charity”.
Për realizimin e këtyre projekteve madhore, Komuna e Mitrovicës ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme për ndërtimin e të gjitha shtëpive për familjet në nevojë, ka marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje, si dhe ka shpallur konkurset publike ku janë përzgjedhur familjet përfituese në bazë të kritereve të përcaktuara me ligj”, shkruan kryetari i Mitrovicës./Indeksonline