Ekzekutimi i 50 milionë eurove për konzorciumin “Bechtel&Enka” për punët shtesë në autostradën “Arbën Xhaferi”, si dhe ekzekutimi i pagave në vlerë prej 156 mijë e 151 euro për 32 punonjës të cilët nuk kanë dalë në punë gjatë vitit 2019, ishte shqetësuese për deputetët e opozitës, të cilët kërkuan burgim për ish-ministrin Pal Lekaj.
Gjatë shqyrtimit të raportit të auditorit ku raportoi ministri Infrastrukturës, Arban Abrashi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, nënkryetari i Komisionit Enver Haliti tha se Ministria e Infrastrukturës deri tash ka paguar rreth 50 milionë euro për “Bechetel-Enka”, ndërsa punët shtesë nuk janë bërë nga kjo kompani në autostradën “Arbën Xhaferi”.
“Çështja e 53 milionëshit ndaj ‘Bechtel&Enka’ dhe kontrata që ka pasur Ministria e Infrastrukturës dhe kësaj kompanie, shohim që kjo pagesë është në përfundim e sipër, ka mbetur një vlerë shumë e vogël. A ka pasur rregullsi me atë aneks-kontratë, në bazë të kësaj është që ‘Bechtel&Enka’ ka kërkuar mjete shtesë për vazhdimin e punimeve të rrugës, ndërsa sa e dimë ne nuk ka pasur punë shtesë në atë autostradë. Është paraparë që të ndërtohen dhe dy kyçje të reja, por ato ende s’janë ndërtuar, ndërsa marrëveshja ka qenë 53 milionë, kurse deri tani janë paguar 48 milionë e 675 mijë euro”, theksoi Haliti.
Ministri Abrashi nuk ishte në gjendje të përgjigjet për rastin “53 milionëshit”, por premtoi se për këtë do të përgatitin një përgjigje me shkrim.
“Jo, për momentin nuk kam sqarim, mundem të vij me një sqarim ose me shkrim dhe në çfarëdo forme tjetër. Është specifike, sepse është marrëveshje që është arritur dy vite më parë, në vitin 2018. I shikojmë letrat, kontratat, kështu që me siguri që ka të bëjë me punë shtesë”, tha Abrashi.
E për këtë marrëveshje pati një sqarim nga vet auditori. Çerkin Morina nga Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë mbledhje tha se ka kjo marrëveshje e arritur nga ministria me kompaninë “Bechtel&Enka” në shtator të vitit 2018, deri tash janë alokuar rreth 50 milionë euro.