Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ishte i pranishëm sot në takimin koordinues të Qeverisë me kryetarët e komunave për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Pas kësaj, Zemaj tha se u diskutua për përgatitjet për fillimin e mësimit dhe analizimin e efektit të masave ndaj COVID-19.
Ai tha se u sqarua se ka një trend në rënie të pacientëve që kërkojnë mjekim të rasteve pozitive me koronavirus, transmeton Indeksonline.
Tutje ai tha se sipas IKSHPK-së, 65% e të infektuarve e kanë kaluar sëmundjen, teksa 30% e rasteve janë ende aktive.
Zemaj deklaroi se bashkë me kryeministrin dhe departamentet tjera përmes kontakteve me institucionet ndërkombëtare po përpiqen të sigurojnë vaksinat kundër COVID-19, që kurdo që ato zhvillohen dhe aprovohen.
Postimi i plotë:
Së bashku me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar takuam kryetarët e komunave, për tu dakorduar për menaxhimin e pandemisë, përgatitjet për fillimin e mësimit dhe analizimin e efektit të masave ndaj Covid-19.
Sqarova se kemi një trend në rënie të pacientëve që kërkojnë mjekim dhe të rasteve pozitive.
Sipas IKSHPK-së, 65% të infektuarve e kanë kaluar këtë sëmundje, derisa rreth 30 % të rasteve janë ende aktive, shkalla e vdekshmërisë në mesin e të infektuarve është 3.7%.
Kemi rritur kapacitetet spitalore si në Prishtinë ashtu edhe në komunat e tjera. Kemi porositur 120 000 vaksina kundër gripit sezonal përmes UNICEF-it dhe po zhvillojmë procedura edhe për 380 000 të tjera.
Kapacitetet në sektorin publik kemi rritur me rreth 300 ventilatorë, derisa sa kishim vetëm 82 sish. Në sektorin privat janë licencuar 86 Institucione Shëndetësore Private për kryerje të testeve serologjike dhe PCR.
Po kryejmë procedurat e blerjes së 7 aparateve të tjera për PCR në IKSHPK ku do të vihen në funksion në 6 qendrat rajonale të Shëndetësisë Publike (Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj e Gjilan). Së shpejti do të kemi edhe: 7 aparate për RT-PCR, 100 000 teste PCR, 30 000 teste rapide dhe 100 000 teste serologjike.
Sot pranojmë një donacion të radhës nga UNICEF-i me 7.4 tonelata furnizime mjekësore. Nga USAID do të për pranojmë edhe 50 ventilatorëve/respiratorëve.
Kemi angazhuar 200 specialistë shëndetësorë të rekrutuar nga MSh dhe kemi hapur edhe konkursin për 1034 specializantë përfshirë dhe 48 nga Lugina e Preshevës dhe zona të tjera. Jemi në proces për t’i punësuar edhe 375 punonjës si staf mjekësor. Mbi 60 specialistë te tjerë do të rekrutohen në kuadër të një konkursi për angazhimin e specialistëve të papunë.
Është për keqardhje se në këtë kohë të vështirë kemi humbur mjekë dhe infermierë nga Covid-19.
Unë, KM dhe Departamentet tona në MSh përmes kontakteve me institucionet ndërkombëtare po përpiqemi të sigurojmë vaksinat kundër Covid-19, kurdo që ato zhvillohen dhe aprovohen.
Para fillimit të vitit të ri shkollor, pres që secili sektor të jetë sa më i fokusuar në ushtrimin e përgjegjësive brenda fushës së vet duke lehtësuar punën e MSh-së në menaxhimin e pandemisë në fazat e tjera.
#QeveriaHoti