Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka konfirmuar sot se takimi i radhës i nivelit të lartë në Bruksel mes tij dhe Hotit do të mbahet më 7 shtator.
Kreu i shtetit serb ka thënë se në këtë takim do të kërkojë implementimin e marrëveshjeve të vitit 2013, e që një ndër to është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Ajo që më shqetëson është se ne nuk po flasim për probleme reale dhe thelbësore. Kjo është arsyeja pse pala serbe do të kërkojë më 7 shtator, kohë edhe kur besoj se do të vazhdojë dialogu, se çfarë ka ndodhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se Beogradi pret një veprim konkret rreth kësaj çështje, dhe më pas pasi të shohin veprimet e Prishtinës do të vendosin se si do të vazhdohet tutje.
“Ne nuk do ta lëmë dialogun, por duam një dialog të vërtetë, dhe jo një dialog në të cilin ata do të na tregojnë çdo ditë se si duhet ta pranojmë Kosovën”, ka shtuar Vuçiq.