Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ditë më parë kishte deklaruar se në momentin që presidenti Thaçi e dekreton ligjin dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare, do të fillojë ekzekutimi i pagesave nga Pakoja Emergjente.
Bajrami ka theksuar se për shkak të situatës emergjente, do të kërkojnë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet në një afat sa më të shkurt.
“Secili Ligji pasi të hyjë në Kuvend ka edhe një procedurë tjetër për të hyrë në fuqi. Presidenti i Kosovës ka shtatë ditë ose tetë afat për ratifikim, besoj për shkak të situatës do të kërkojmë nga Zyra e Presidentit që ligji të ratifikohet me një afat më të shkurt. Janë gjëra në këtë moment që nuk varen nga ne, varet nga Zyra e Presidentit se kur ai do ta dekretojë dhe të shpallet në gazetën zyrtare. Në momentin që kjo ndodhë, ne si Ministri dhe Thesari është i gatshëm që të fillojë me ekzekutimin e pagesave”, ka thënë Bajrami.
E, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, menjëherë pas një ditë pasi ka pranuar atë.
Thaçi tha se e ka bërë dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët dhe të zbuten pasojat e pandemisë.
“Sapo dekretova Ligjin për Buxhetin dhe plotësim/ndryshimet e tij, të cilin e kam pranuar dje pasdite. E bëra dekretimin e menjëhershëm që sa më parë të ekzekutohen pagesat për qytetarët tanë dhe të zbuten pasojat e pandemisë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, por hyrja në fuqi e këtij ligji është domosdoshmëri urgjente për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve. Ekzekutivi i vendit jam i bindur se do të gjejë hapësirë dhe mundësi për t’i trajtuar të gjitha shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit sektorialë. Por, prioritet dhe qëllim i përbashkët i të gjithë neve është lehtësimi i pasojave të pandemisë dhe menaxhimi sa më i mirë i kësaj situate”, ka shkruar Thaçi./IndeksOnline/