Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka treguar se dy persona të hospitalizuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit si pasojë e COVID-19, kanë vdekur në 24 orët e fundit.
Po ashtu ai ka treguar se janë regjistruar 15 raste të reja, e jo 17 siç ka treguar IKSHP-ja, pasi dy prej tyre ishin ritestime.
“Ngushëllime për familjarët për humbjen e më të dashurve dhe do të kenë solidaritetin tonë. 682 të infektuar janë në total në Gjilan, 468 të shëruar, e 186 raste aktive. 28 e kanë humbur betejën me COVID. 32 të hospitalizuar dhe 27 mostra po i presin rezultatet”, ka thënë Haziri në konferencë për media.
Haziri ka treguar se ka diskutuar edhe për çështjen e varrimeve të personave që humbin jetën si pasojë e COVID-19, duke kërkuar nga Qeveria që ta zgjidh këtë problem sipas protokollit shtetëror.
Po ashtu Haziri ka kërkuar vetëdijësim më të madh dhe solidaritet të qytetarëve.
“Ju ftoj që në rrugë e në punë të respektoni masat mbrojtëse. Virusi nuk ka krahë me fluturu, nuk i shkon askujt në shtëpi dhe as nuk i del përpara kërkujt. Por, nëse nuk je i kujdesshëm, mund të infektohesh”, ka thënë Haziri.