Nëna e kryeministrit Edi Rama, Aneta Rama ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare ditën e sotme (1 gusht).
Ajo ka ndërruar jetë rreth orës 04:00 të mëngjesit.
Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri përmes një postimi në Facebook.
Mësohet se prej disa ditësh, ajo ka qenë e shtruar në spital dhe vetëm pak ditë më parë është kthyer në banesë.
Në shtëpinë e të ndjerës janë nipi i saj, Gregor Rama dhe bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama e cila i ka qëndruar pranë që prej mbrëmjes së djeshme (31 korrik).
Gjithashtu edhe kryeministri sëbashku me të vëllanë Olsi Rama kanë mbërritur në banesë.
Mësohet se varrimi do të bëhet në orën 17:00. Për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk do të ketë shumë pjesëmarrje.
” Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam” – shkruan Rama në Facebook
Kryeministri Rama dhe vëllai i tij Olsi i janë drejtuar me një mesazh të gjithë miqve dhe familjarëve ku i kërkojnë mirëkuptim për përcjelljen në banesën e fundit të nënës së tyre.
“Përulësisht u lutemi familjarisht mirëkuptim të gjithë të afërmve e miqve të mirë, për pamundësinë e pritjes së ngushëllimeve e të ceremonisë së përcjelljes së nënës sonë në banesën e fundit, në kushtet e detyrimit për të respektuar rregullat e mbrojtjes së shëndetit të gjithësecilit. I falenderojmë të gjithë për mesazhet prekëse që vazhdojnë ta na vijnë për humbjen e nënës sonë të shtrenjtë dhe e vlerësojmë shumë respektin e mirëkuptimin e kujtdo që do të donte të ishte edhe fizikisht pranë nesh në këtë ditë të vështirë. Edi dhe Olsi Rama!”, shkruhet në mesazhin e familjes Rama për të afërmit.
Aneta Rama ka punuar si stomatologe në vendlindjen e saj në Vlorë dhe në Tiranë.
Ajo është nderuar me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” nga Urdhri i Stomatologëve.
Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente.
Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emer të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate te shkëlqyera në vitin 1961.
Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet duke drejtuar poliklinikën dentare, e Specializuar ne Radiologji e Fizioterapi Stomatologjike.
Dr.Aneta është dekoruar me çmime të ndryshme për punë shumë të mirë e rezultate shkencore në shërbimin ndaj qytetarit.