Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka njoftuar se nga e hëna do të nisë ekzekutimi i pagesave për qytetarët dhe bizneset për muajt e papaguar.
Ajo ka thënë se janë duke punuar pa orar dhe sipas saj thesari dhe Departamenti i Buxhetit po bëjnë të gjitha përgatitjet që nga e hëna të fillojnë ekzekutimin e pagesave.
“Në Ministrinë e Financave po punohet pa orar. Thesari dhe Departamenti i Buxhetit po bëjnë të gjitha përgatitjet që nga e hëna të fillojnë ekzekutimin e pagesave nga Pakoja Emergjente për qytetarët dhe bizneset. Javën që po vjen do t’i ekzekutojmë të gjitha mjetet për muajt e papaguar bazuar në Pakon Emergjente”, ka thënë Bajrami, shkruan Gazeta Sinjali.
Bajrami u ka uruar shërim të shpejt disa punëtorëve të Ministrisë që kanë rezultuar pozitiv me virus.
“Ju kërkojmë falje qytetarëve dhe bizneseve për vonesat pasi ishte pamundshme të kryheshin pagesat pa u rishikuar buxheti. Falënderoj stafin e Ministrisë së Financave, të cilët po punojnë pa orar dhe kanë punuar gjithë kohën e pandemisë duke vënë edhe shëndetin në rrezik. Disa punëtorë të Ministrisë kanë rezultuar pozitiv me virus dhe ju urojmë shërim të shpejtë!”.
/Gazeta Sinjali/